Home Uncategorized Skenderaj/1001 problemet e Personave me Aftësi të Kufizuara

Skenderaj/1001 problemet e Personave me Aftësi të Kufizuara

Isa Hamiti është njeri nga rreth 1 mijë personat me aftësi të kufizuara në komunën e Skenderajt. Në pamundësi për të lëvizur, ai përdor karrocën. I bie të dal në qytet jo rrallëherë, për të kryer ndonjë shërbim për nevojat e tij ose të familjes, ndonëse kjo arrihet me shumë mund e lodhje, si pasojë mungesës së qasjes fizike në trotuare ku nuk ka prerje adekuate për lëvizje të lirë të personave me aftësi të kufizuara që shfrytëzojnë karrocat.

“Nuk është e lehtë që, si i vetëm pa ndonjë shoqërues, të dal jashtë shtëpie për të kryer ndonjë shërbim. Dalja ime shoqërohet me shumë pengesa, pasi në trotuare nuk ka prerje të përshtatshme për qasje fizike, për cka jam i detyruar të lëviz përgjatë rrugës se asfaltuar ku rrezikoj jashtëzakonisht shumë nga qarkullimi i automjeteve. Ky është një nga problemet e shumta me të cilat përballemi ne si persona me aftësi të kufizuara”, shprehet Hamiti i zhgënjyer me autoritetet komunale që nuk e kanë menduar lëvizjen e lirë për këta persona, kur kanë realizuar projektet infrastrukturore në qytetin e Skenderajt.

Në qytet janë identifikuar disa pika urbanistike, për të krijuar qasje të lirë për personat që lëvizin me karroca.

Milazim Mustafaj, nga organizata joqeveritare Iniciativa Qytetare Skenderaj, e cila ka realizuar një sërë aktivitetesh vetëdijesuese për përmirësimin e pozitës së personave më aftësi të kufizuara në shoqëri, thotë se organizata e tij, në kuadër të një projekti të implementuar, ka bërë identifikimin e disa pikave urbanistike brenda qytetit, si pjesë më të frekuentuara, për të krijuar qasje të lehtë në trotuare dhe lëvizje të lirë të personave me aftësi të kufizuara.

“Pasi kemi identifikuar këto pjesë, ku mund të intervenohet teknikisht duke bërë prerje të trotuareve për të krijuar qasje, ne si shoqëri civile u kemi drejtuar edhe autoriteteve komunale, për të intervenuar sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të mos e kenë problem qasjen dhe lëvizjen e lirë”, shprehet Mustafaj.

Ndërkaq, Mentor Mehmeti, drejtor i Shoqatës Handikos, thotë se janë 1 mijë anëtarë me aftësi të kufizuara fizike dhe të kombinuara, të moshave, gjinive, dhe etnive të ndryshme.

Sipas tij, është rekomandim për cdo qeveri lokale apo qendrore, që t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre në disa drejtime kryesore; t’u sigurojnë personave me aftësi të kufizuara qasje me të gjitha sisteme universale dhe shërbime të llojllojshme; të investojnë mjete në programe speciale dhe në shërbime për këtë kategori shoqërore ; të miratojnë strategji kombëtare dhe plan për realizimin e tyre për personat me aftësi të kufizuara; të garantojnë punësimin e këtyre njerëzve dhe të sigurojnë financimin e domosdoshëm për këtë: të përmirësojnë strategjinë e informacionit për numrin e personave me aftësi të kufizuara dhe ta informojnë shoqërinë për problemet e tyre.

Mirëpo, personat me aftësi të kufizuara nuk e kanë vetëm qasjen problem me të cilin ata përballen cdo ditë. Edhe punësimi mbetet sfidë e patejkalueshme si për këtë komunitet, ashtu edhe për autoritetet publike, të cilat ligji i obligon që në cdo numër prej 51 personave të punësuar, një duhet të jetë person me aftësi të kufizuara. Komuna e Skenderajt sot numëron rreth 240 të punësuar, ndërkohë që nga kategoria e personave me aftësi të kufizuara janë të punësuar vetëm 3.

Sipas një zyrtareje brenda Administratës Komunale, që ka dashur të mbetet anonim, për shkak të rrethanave pandemike, është vështirësuar edhe zhvillimi i procedurave për rekrutim të personave me aftësi të kufizuara, jo për fajin e Komunës, por për fajin e nivelit qendror, përkatësisht ministrisë së linjës.

Megjithatë, ajo thotë se Komuna është e gatshme të përmbush obligimin ligjor që përcakton formulën e numrit të të punësuarve, 51/1.

Në rrafshin lokal, është miratuar edhe Plani Komunal për Punësim të Personave me Aftësi të Kufizuara, por mbetet larg zbatimi i tij në praktikë.

Sido që të jetë, tashmë pothuajse janë zhdukur termat që janë identifikuar personat me aftësi të kufizuara, të cilët janë quajtur “sakat”, “i gjymtë”, etj, ku në ndryshimin e kësaj situate kanë kontribuar organizatat e shoqërisë civile, me projektet dhe aktivitetet e tyre për ndërgjegjësim të gjerë publik./Rajoni.net/

Most Popular

Drenasi hap konkurs për mësues (Dokument)

Drejtoria Komunale e Arsimit në Drenas ka hapur konkurs për punësimin e 8 mësimdhënësve në shkollat fillore të qytetit dhe të fshatrave, shkruan rajoni.net. Pozitat...

Duda Balje kur e bënë fytyrën kështu krejt deputetët ligen

E ka vënë në qendër të vëmendjes aparenca e saj, dukja dhe linjat fizike, por Duda Balje është shumë më shumë se kaq, shkruan...

Matematikat e Armend Mujës, në një sondazh i dalin 120 për qind

Analisti Armend Muja gjatë një interviste ka kalkuluar përqindjet e një ‘sondazhi’, e që në fund përqindja e votuesve i del 120. Derisa nënkryetari...

A e ka përnjëmend PDK synimin për President?

Në PDK, kryetari i së cilës Kadri Veseli dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, e që tash ka ushtrues të detyrës...