Home Sport Guardiola “i fiksuar” me kapitenin e Aston Villës, gati oferta 100-milionëshe

Guardiola “i fiksuar” me kapitenin e Aston Villës, gati oferta 100-milionëshe

Pep Guardiola “shënjestron” futbollistin e përfaqësueses angleze Jack Grealish. Ka fituar 2 nga 3 edicionet e fundit të kampionatit në Premier League, megjithatë trajneri i mirënjohur spanjoll nuk ndihet aspak mirë për situatën aktuale të skuadrës së tij. Padyshim ky është starti më i dobët në karrierë për 49-vjeçarin katalanas dhe në fakt Manchester City ka grumbulluar vetëm 12 pikë në 8 ndeshjet e para të sezonit në Premiership.

Me një mesatare prej 1,5 pikësh për ndeshje Guardiola është i ndërgjegjshëm për vështirësitë që po hasin “sky blues” në këtë edicion, megjithëse për hir të së vërtetës “citizens” kanë gjithashtu edhe një ndeshje të prapambetur për të zhvilluar, më saktë bëhet fjalë për sfidën me Aston Villa-n në “Etihad”. Pas humbjes në duelin me Tottenham-in e rivalit të tij të vjetër Jose Mourinho, Pep Guardiola u shfaq i kënaqur për lojën e ekipit të tij, megjithatë faktet flasin qartë dhe për momentin City pozicionohet në gjysmën e dytë të tabelës së renditjes, me vetëm 10 gola të shënuar.

Duke lënë mënjanë katër klubet që mbyllin klasifikimin e Premier League-s, Sheffield United, West Bromwich Albion, Fulham dhe Burnley, vetëm Arsenali e Wolverhamptoni kanë shënuar më pak se Manchester City nga gjithë skuadrat e tjera të kampionatit anglez. Javën e kaluar trajneri spanjoll rinovoi kontratën, duke shtyrë qëndrimin te “sky blues” deri në verën e vitit 2023, por është e kuptueshme që Guardiola ka marrë garancitë e duhura nga bosi i klubit Khaldoon Al Mubarak për të patur mbështetjen e nevojshme, në përforcimin e skuadrës.

Dihet, 49-vjeçari nga Santpedori e ka dorën e rëndë dhe deri në vitin 2019 sipas llogarive të Marca-s ai ka shpenzuar plot 1,308 miliardë euro në vetëm 11 sezone, në klube si Barcelona, Bayern Munchen dhe Manchester City, e nga kjo shumë 513,1 milionë euro kanë shkuar vetëm për repartin e mbrojtjes, ndërkohë pas merkatos së sivjetshme kësaj shifre i duhen shtuar edhe 160 milionë të tjera në total, ku 115 milionë janë harxhuar vetëm për dyshen e mbrojtjes Nathan Ake – Ruben Dias.

Tani me sa kuptohet Pep Guardiola ka identifikuar pikërisht lojtarin e përfaqësueses së “tre luanëve” Jack Grealish si një ndër futbollistët e ardhshëm të skuadrës. Strategu katalanas nuk dëshiron të humbasë akoma më shumë terren ndaj Liverpulit të drejtuar nga gjermani Jurgen Klopp, e në fakt sipas “The Independent” për 25-vjeçarin nga Birminghami ai ka folur edhe me vetë Kevin De Bruyne, që pas fitores 2-0 të “djajve të kuq” ndaj përfaqësueses angleze i ka thënë trajnerit iberik se Grealish është një lojtar që duhet marrë patjetër nga drejtuesit e City-t.

Gjatë verës së kaluar çmimi i kapitenit të Aston Villa-s ishte vetëm 70 milionë stërlina, natyrisht për shkak të krizës së pandemisë së koronavirusit, e megjithatë krerët e Manchester United hezituan për të investuar te ky futbollist. Jack Grealish luan lirshëm në të dy krahët, por 25-vjeçari mund të mbulojë shkëlqyeshëm gjithashtu edhe rolin e mesfushorit me tipare sulmuese. Pas qëndrimit te “luanët” dhe katapultimit të “villans” në vendet e kreut, kapiteni firmosi një kontratë të re 5-vjeçare me klubin e famshëm nga Birminghami, kështu që vlera e tij është rritur ndjeshëm dhe krerët e City-t do ta kenë vërtet shumë të vështirë për ta shkëputur Jack Grealish nga kthetrat e Aston Villa-s pa 100 milionë paund.

Most Popular