Home Lajme Monopol deri në Maltë, shërbimet më të fundit që shteti ia bëri...

Monopol deri në Maltë, shërbimet më të fundit që shteti ia bëri Blerim Devollit

Shteti i Kosovës, gjithnjë e më shumë po kontribon në fuqizimin e monopolit të “Devollit”. Tarifat nxitëse, si skemë e ZRRE-së për mbështetjen e prodhimit të energjisë së ripërtritshme, së fundmi kanë qenë materiali me të cilin është fuqizuar monopoli i Blerim Devollit.

Pejani Blerim Devolli është pronar i disa bizneseve të regjistruara në Maltë, si vend tashmë i njohur për fshehjen e fitimeve të bizneseve nga mbarë bota.

Bizneset e regjistruara në Maltë, i kanë ndihmuar Blerim Devollit që ta zgjerojë në hapësirë të paparashikueshme monopolin e tij. Ai ka përfituar tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve energji solare. Një park solar me kapacitet prej 6 megavatëve ishte lëshuar në prodhim në tetor të vitit 2018. Prapa këtij parku solar qëndrojnë dy biznese të Blerim Devollit që janë ‘shpërblyer’ me tarifa nxitëse prej 136.4 eurosh për 12 vjet.

Me vendim të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), katër biznese të Blerim Devollit po kështu kishin përfituar tarifa nxitëse prej 85.5 eurosh për megavat. Përmes këtyre tarifave, ZRRE-ja ua siguron investitorëve shitjen e gjithë energjisë së prodhuar për 12 vjet me një çmim të paracaktuar.

Blerim Devolli është i njohur për pronësi mbi disa biznese të mëdha në Kosovë dhe privatizime kundërthënëse siç ishte Fabrika e Amortizatorëve. Devolli ishte pronar i Operatorin Virtual “Z-Mobile”, për të cilin ishte ngritur edhe një komision hetimor nga Kuvendi i Kosovës pas konstatimeve nga Kuvendi se Telekomi i Kosovës ishte dëmtuar nga kontrata e nënshkruar me këtë operator.

Vendimi kontrovers

Një hulumtim i “Jeta në Kosovë” në qershor të këtij viti, kishte hedhur dritë mbi dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja”, të cilat kishin përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRRE-së i datës 19 maj 2016. Vendimi ishte marrë nga anëtarët e bordit: Enver Halimi kryesues, Krenar Bujupi, Arsim Janova, Qemajl Mustafa dhe Besim Sejfijaj.

Kurse, bizneset e Blerim Devollit kanë përfituar edhe nga vendimi i Bordit të ZRRE-së që është marrë me datë 27 nëntor 2019.

Vendimi për caktimin e tarifave nxitëse edhe për 20 megavat shtesë ishte diskutuar në dy mbledhje të bordit të ZRRE-së, duke hyrë si pikë jashtë rendit të ditës. Në mbledhjen e mbajtur 14 tetor 2019, Bordi nuk kishte arritur të caktonte tarifa nxitëse edhe për 20 megavat shtesë energji solare.

Anëtarët e bordit, Arsim Janova e Besim Sejfijaj kanë qenë kundër caktimit të tarifave nxitëse edhe për 20 megavat shtesë, kurse Izet Rushiti e Selman Hoti kishin votuar për.

Në mbledhje kishte tensione, meqë zyrtarët ligjor të ZRRE-së, Afrim Ajvazi  dhe Ymredin Misini, i ‘kërcenuan’ anëtarët e bordit se nëse nuk i miratojnë tarifat nxitëse për 20 megavat shtesë, ZRRE-ja mund të dërgohet në Arbitrazh. Përkundër insistimit nga ud.kryesuesi i Bordit, Arsim Janova se kush mund të dërgojë ZRRE-në Arbitrazh, ata nuk e treguan emrin e biznesit që mund të bëjë një gjë të tillë.

Në mbledhjen e 14 tetorit, 2019, anëtari i bordit të ZRRE-së, Besim Sejfijaj ishte kundër dhënies së tarifave nxitëse, meqë përmes ankandit mund të sigurohet cmim më i lirë.

“Pse me ngarku konsumatorin, duke u nis prej vetes me (tarifë) nxitëse nëse nesër vjen dikush me 50 ose 60 euro me premium. Ndoshta vinë edhe 120, s’mund e parashohim. Thjesht dokumentacioni që është këtu që e ka bo departamenti i tarifave kur pjesa dërmuese e tyre janë kundër kësaj procedure. Mos t’flasim që edhe prej Ministrisë ju ka dërgu apel që mos me bo këtë, edhe prej ambasadës  amerikane, ambasadës gjermane”, kishte thënë Sejfijaj.

Por, ishte Sejfijaj që kishte ndërruar qëndrim në mbledhjen e datës 27 nëntor, në një periudhë prej 48 ditësh, duke ia mundësuar bordit të ZRRE-së t’i caktojë tarifat nxitëse prej 85.5 euro për megavat për energji solare.

Sejfijaj votën për të tij e kishte arsyetuar vetëm me uljen e çmimit të energjisë që do të prodhohet nga anergjia solare, nga 90 në 85.5 euro, por nuk i kishte folur më për ankandet.

“Këtë temë e kemi shqyrtu edhe në mbledhjen e kaluar, ka qenë çështja e çmimit… Absolutishit çmimi 90.7 ka qenë i teprum. Tash e kemi një propozim të ri, në qoftëse ka hapësirë ligjore, e nuk biem ndesh me ligjet në fuqi dhe nuk bimë ndesh me autorizimin që e ka bo kanë ministria (MZHE-ja) e kisha mbështet një ide të tillë por pa hi në obligime tjera”, kishte thënë Sejfijaj.

I vetmi anëtar i bordi që kishte votuar kundër kësaj skeme që përfitonin kompanitë që ishin në listën e pritjes ishte Arsim Janova. Janova kishte kërkuar që të ndërrohet skema, pra që përkrahja e energjisë solare të bëhet përmes konkurrencës/ankandeve siç ka kërkuar Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, Ambasada Gjermane dhe palë të tjera. Vendimi për caktimin e tarifave nxitëse prej 85.5 euro për megavat është votuar tre anëtarë të bordit: Selman Hoti, Izet Rushiti dhe Besim Sejfijaj.

E ndërrimi i çmimit të tarifës nxitëse u mundësua pas propozimit që bëri anëtari i bordit, Selman Hoti. Hoti ka qenë për votimin e tarifës nxitëse prej 90.4 euro në mbledhjen e muajit tetor.

“Kam një propozim, nga ajo që ka dal nga departamenti në konsultim publik, prej 90.4 sa ka qenë, të jetë një zbritje në 85.5”, kishte deklaruar Hoti në mbledhjen e datës 27 nëntor 2019, duke thënë se vendimi për caktimin e tarifave nxitëse është i ligjshëm.

Konsistent në qëndrimet ishte edhe Izet Rushiti, ish kandidati për asamble komunale nga AAK-ja e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Rushiti kishte votuar për tarifën nxitëse prej 90.4 euro për megavat në muajin tetor dhe pastaj edhe për propozimin e ri që tarifa të jetë 85.5 euro për megavat.

Selman Hoti e Izet Rushiti janë zgjedhur anëtarë të bordit në mars të vitit 2018, në kohën e Qeverisë së PAN-it. Ekspertët Britanikë kishin vlerësuar se Izet Rushiti e Selman Hoti nuk i plotësojnë kushtet për tu zgjedhur në bordin e ZRRE-së: nuk kanë pas pikë të mjaftueshme. Mirëpo deputetet e parlamentit te Republikës së Kosovës nuk i patën dëgjuar ekspertët britanikë.

Vendimi i bordit të ZRRE-së ishte në kundërshtim edhe me rekomandimet që kishin dhënë ekspertët e ZRRE-së.

“Propozimi është vetëm të ndërrohet skema mbështetëse, pra jo përmes tarifave por të kalohet në ankande”, ka thënë Ymer Fejzullahu, udhëheqës i Departamentit të Tarifave dhe Çmimeve në ZRRE në mbledhjen e muajit tetor.

Bordi i ZRRE-së e kishte marrë këtë vendim përkundër që kishte pranuar sugjerime nga Ambasada Gjermane, USAID-i, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë që të vazhdohet me ankande.

“Praktika e kaluar e Kosovës për shpërndarjen e licencave për projekte solare 3 MW mbi bazën “kush vjen i pari, shërbehet i pari” mbart një rrezik korrupsioni dhe presioni të panevojshëm nga zhvilluesit jo të besueshëm mbi qeverinë dhe ZRRE-në”, thuhet në mes tjerash në komentet e kësaj Ambasades Gjermane të dërguar në maj të vitit 2019 në ZRRE.

Por, në ZRRE thonë se i kanë marrë në konsideratë komentet e Ambasadave, porse aktualisht nuk kanë mundësi të shpallin ankande.

“Aktualisht, Tarifa nxitëse është e vetmja skemë mbështetëse në Kosovë që përdorë stimujt financiar për të arritur caqet për BRE”, thuhet në një përgjigje të ZRRE-së.

Arben Kllokoqi, nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, thotë se nga fillimi i vitit 2019 i kanë kërkuar ZRRE-së që mos të ngutet me caktim të tarifave nxitëse, mirëpo të shkohet me ankande. Ai thotë se shtetet që kanë përdorë ankandet për përkrahjen e energjisë solare kanë përfituar çmime shumë më të ulta, sic është rasti i Maqedonisë që investitorët kanë kërkuar vetëm cmimin e tregut. Cmimi i tregut është përgjysmë më lirë se sa tarifa e vendosur nga bordi i ZRRE-së prej 85.5 euro për megavat.

Skema e Maltës

Dy kompanitë e para të Blerim Devollit: Birra Peja dhe Frigo Food, kanë përfituar nga vendimi i bordit të ZRRE-së i datës 19 maj 2016. Këtyre dy kompanive ju garantohet shitja e energjisë me një çmim prej 136.4 euro për megavat për 12 vjet, pra deri në tetor të vitit 2030. ZRRE-ja kishte marrë pjesë në përurimin e parkut 6 megavatësh, në të cilin është bërë e qartë se mbrapa tyre është Blerim Devolli. Përkundër kësaj, ZRRE-ja thotë se këto i njeh si dy projekte dhe nuk i konsideron biznese të një pronari.

Në Kosovë pronarë të kompanisë “Birra Peja” janë dy biznese të regjistruara në Maltë. Këto biznese quhen Abrazen dhe kompania Globosos.

Në bazë të dokumenteve të siguruara nga regjistri i biznesit në Maltë kemi zbulu që në vitin 2014 drejtori i Abrazenit ishte Blerim Devolli, ndërsa më vonë ishte zëvendësuar me Ernest Jusufit. Jusufi është njeri i besueshëm se është drejtor edhe në kompaninë tjetër të Blerim Devollit, “Devolli Group”. Gjurmimi tregon se kontakti i kompanisë Abrazen është emailli zyrtarë i kompanisë “Devolli Group” e cila është në pronësi të Blerim Devollit.

Edhe mbrapa biznesit tjetër, “Frigo Food Kosova” është Blerim Devolli. Pronar i “Frigo Food Kosova” është kompania “Frigo Food Solar”. Kjo e fundit është e regjistruar në Maltë dhe pronar i saj është Blerim Devollit.

Anëtarët e bordit të ZRRE-së që kanë qenë në përurim të parkut 6 megavat kanë vendos për skemën mbështetëse në vitin 2019 prej të cilës përfitojnë 4 biznese të Blerim Devollit. Bordi i Zyrës së Rregullatorit, me 27 nëntor 2019, i ka miratuar tarifat nxitëse prej 85.5 euro edhe për 20 megavatë solare që do të përfitojnë 8 kompani që janë në listën e pritjes dhe që kanë marrë autorizime preliminare. Katër prej 8 kompanive që janë në listën e pritjes dhe që do të përfitojnë nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit e kanë pronar Blerim Devollin.

Në listën e pritjes që ka autorizim preliminar dhe që do të përfitojë nga vendimi i ZRRE-së për caktimin e tarifës nxitëse prej 85.5 euro për megavat është kompania “Building Construction Kosove L.L.C”. Kjo kompani që do të përfitojë tarifën nxitëse për 1.73 megavat është e regjistruar në Kosovë, por pronarë i saj është një kompani tjetër “Solar Power Holding”, me bazë në Maltë. Por, me hulumtim e kemi zbulu që pronarë i kompanisë “Solar Poëer Holding” në Maltë është Blerim Devollin.

Edhe kompania “Alsi & Co Kosovë”, që ka përfituar tarifën për 3 magavat, është në pronësi të një biznesi tjetër “Alsi & CO LTD”. Pra e njëjta skemë është përdor për fshehjen e biznesit, por “Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli është pronar i biznesit “Alsi & CO LTD” të regjistruar në Maltë.

Kompania e tretë që ka përfitu prej konsumatorit kosovar tarifën nxitëse për 3 megavat e ka emrin “Energy Development Group”. Kjo kompani prapë është pronë e kompanisë amë që quhet “EDG LTD” me bazë në Maltë. Pronari i saj është Blerim Devolli, që në regjistrat e Maltës figuron si shtetasë i Malit të Zi.

Kompania e katërt është “Devolli Group”, që poashtu ka përfituar tarifë për 3 megavat. Më vonë kësaj kompanie ju ka ndrru emri në “Abrazen”. ZRRE-ja thotë se ndërrimin e emrin e ka bërë meqë, Devolli Group e ka dërguar një dokument nga ARBK-ja në të cilët thuhet se Devolli Group i është ndërruar emri në Abrazen.

Lidhjet e biznesit të anëtarit të bordit të ZRRE-së me bizneset e Blerim Devollit dhe KEDS-in

Hulumtimi i Jeta në Kosovë ka zbardhur lidhjet e kompanisë “Electra”, në të cilën ka aksione anëtari i Bordit të ZRRE-së, me bizneset e Blerim Devollit.

Selman Hoti, anëtari i bordit të Zyrës së Rregullatorit, ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion se ka aksione në një biznes të quajtur “Electra”.

Hulumtimi i “Jeta në Kosovë” zbulon që “Electra” ka qenë kontraktor i dy kompanive të lidhura me Blerim Devollin, “Birra Peja” dhe “Frigo Food”. Saktësisht “Electra” e ka ndërtuar parkun solar në Gjakovë. Këtë punë “Electra” e ka bërë para se Selman Hoti të emërohet si anëtar Bordi në ZRRE. Ai thotë se është njoftuar Antikorrupsioni për aksionet që ka në këtë biznes.

“Unë si anëtar i bordit të ZRRE-së kam përgjegjësi ligjore të marr vendime të rëndësishme për sektorin e energjisë dhe për kompanitë e licencuara… Në dijeninë time dhe pas njoftimit të dërguar në AKK për këtë çështje, unë nuk jam në konflikt interesi me askënd dhe siç e shpjegova më lart marrëdhëniet kontraktuale që ka ndërmarrja private “Electra” Sh.P.K. me cilindo biznes vendor apo ndërkombëtar mund t’i referoheni menaxhmentit të saj”, ka thënë Hoti më 11 mars për “Jeta në Kosovë”.

“Electra” ka qenë kontraktor edhe i bizneseve të tjera që rregullohen nga ZRRE-ja, pra për të cilat Hoti duhet të vendos në mbledhjen e bordit. Në ueb-faqen e saj, Electra thotë se ka qenë nën-kontraktor i KEDS-it.

“Kompania Electra çdo vit është kontraktor i KEDS në implementimin e projekteve në tension 0.4kV dhe 20kV”, thuhet në faqen zyrtare të kompanisë “Electra”.

Hoti nuk ka pranuar të përgjigjet për punët që i ka bërë apo i bënë Electra, meqë thotë se është tërheq nga kompania. Ai na ka sugjeruar që të kontaktojmë menaxhmentin aktual.

Lutfi Gashi, bashkëpronari i Selman Hotit në kompaninë “Electra”, nuk ka pranuar të flas para kamerave. Ai nuk është përgjigjur as në pyetjet e dërguara në adresën zyrtare të kompanisë.

“Jeta në Kosovë” ka dërguar pyetje edhe në KEDS, duke i kërkuar të gjitha kontratat që kjo kompani ka lidhur me Electra që nga viti 2017. Por, KEDS-i nuk ka kthyer përgjigje e as nuk na ka leju qasje në kontrata, përkundër që sipas vendimit të ZRRE-së, KEDS-i është i obliguar me zbatu ligjin e Prokurimit Publik siç e ka të caktuar në licencën e lëshuar nga i njëjti institucion. KEDS-i dhe KESCO janë biznese që rregullohen nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që organ vendimmarrës e ka Bordin në të cilin bënë pjesë Selman Hoti.

Neni 6 i Ligjit për Zyrën e Rregullatorit përcakton rastet kur një anëtar i bordit mund të jetë në konflikt të interesit.

“Anëtarit të Bordit gjatë mandatit të tij në këtë pozitë nuk i lejohet: të jetë vetë, ta ketë bashkëshortin/en apo ndonjë të afërm të familjes së ngushtë në cilësinë e aksionarit, partnerit, pronarit ose menaxherit në një ndërmarrje të energjisë që i nënshtrohet këtij Ligji, apo në një ndërmarrje vartëse apo në një filial të një ndërmarrjeje të energjisë”, thuhet në pikën 3 të nenit 6 të Ligjit për Rregullatorin.

“Jeta në Kosovë” ka kërkuar një përgjigje edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit. Kjo Agjenci ka njoftuar se pas pranimit të pyetjeve kanë nisur hetim për rastin e Selman Hotit.

Tutje AKK-ja ka thënë se zyrtari i lartë ka të drejtën e pronësisë në një kompani private, ai duhet që rast për rast të bëjë vetë-deklarimin paraprak nëse konsideron se mund të ekzistojë interesi i tij privat ose personave të tij të afërm.

“Çdo zyrtar gjatë ushtrimit të funksionit të tij publik, në bazë të njohurive të tij dhe në mirëbesim, detyrohet që të bëjë vetë-deklarimin paraprak, rast për rast, të ekzistencës së interesit të tij privat ose të personave të afërm me të lidhur me vendimmarrjen në një çështje të caktuar, që mund të bëhet shkak për lindjen e një konflikti të interesit dhe të tërhiqet nga kjo vendimmarrje”, thuhet në përgjigjen e Antikorrupsionit.

Anëtari i Bordit, Selman Hoti thotë se nuk ka marrë asnjë vërejtje nga Antikorrupsionit përkundër se i ka njoftuar ata për posedim të aksioneve.

Hoti në një bisedë me Jeta Xharrën ka treguar se kompania ku ai është aksionar, “Electra” ka kryer një punë në parkun solar në Gjakovë si nënkrontraktor i kompanive të Blerim Devollit.

“Po, panele solare, që unë s’kam qenë atëherë anëtar bordi, as nuk kam pas lidhje me ZRRE. Ka kryer punë, një kabëll ia ka shtri për me i kyç ato panelet solare, dmth, një pjesë të punës. Një kabëll e ka shtri prej paneleve solare deri te stacioni kryesor në Gjakovë”, ka përfunduar Hoti.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavat sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti. Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRRE-së i datës 19 maj 2016.

Kurse, me katër biznese të tjera ka përfituar nga vendimi i datës 27 nëntor 2019: “Building Construction Kosove L.L.C”, “Alsi & Co Kosovë”, “Energy Development Group” dhe kompania e katërt është “Devolli Group” të cilës i është ndërruar emri në “Abrazen”.

Most Popular