Monday, September 27, 2021

Përplasje ndërmjet AAK dhe LDK në komision

Kërkesa e ish-presidentit të gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons për formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar, nxiti përplasje në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion në mes kryetarit të këtij komisioni nga radhët e LDK-së, Shkëmb Manaj dhe deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi.
Manaj fillimisht bëri të ditur se këtë shkresë e kishin pranuar në fund të korrikut të këtij viti.

“Në fund të muajit korrik të këtij viti, pastaj kemi shkuar në pushim mes dy sesioneve. E kemi diskutuar me koordinatorin e Komisionit për këtë çështje dhe kemi prit që në ndonjë prej mbledhjeve të radhës ta trajtojmë. Secila shkresë duhet të përcjellët te secili anëtar i komisionit brenda dite, nuk e di pse nuk ka ardhur”, ka thënë Manaj.

Pas kësaj ka reaguar deputetja Kadaj-Bujupi, ajo tha se administrata këtu nuk ka të bëjë fare. Ajo fajësoj kryetarin e këtij komisioni për shkelje të ligjit.

“Së pari e keni shkel ligjin, sepse me ligj është dashtë që në momentin kur e ki kuptu që ka pretendime për vepra penale nga një institucion e ki obligim me raportua. Nuk është korrekte që nuk na ke njoftuar për letrën”, u shpreh Kadaj-Bujupi.

Ajo më tej pyeti kryetarin e këtij komisioni, Shkëmb Manaj se përse e ka mbajtur të fshehtë këtë kërkesë.

“Pse e ke mshef, a je tut me pru a, kush të ka than me mshef shkresën. Unë nuk jam frikacake si ti mos me guxu me pru shkresën. E ki shkel kodin penal”, tha Kadaj-Bujupi.

E deputeti Manaj pastaj i është përgjigjur deputetes së AAK-së se “ne njihemi mirë kogja moti”.
Ish-presidenti i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons përmes kësaj shkrese pretendon se drejtësia e EULEX-it ka qenë e njëanshme.

“Drejtësia ndërkombëtare në Kosovë nuk ka qenë e paanshme, ka qenë e njëanshme dhe e njëjta është përdorur si isntrument për realizimin e qëllime politike”.

Në rast se do të iniciohet rast, i njëjti ka treguar gatishmëri të dëshmoj personalisht para komisionit hetimor që do të konstituohet nga Kuvendi”, thuhet në kërkesë të cilën e lexoj kryetari i Komisionit për Legjislacion, Shkëmb Manaj.