Monday, September 20, 2021

Lille dhe Milan ndajnë pikët, avancojnë Arsenal e Leicester!

Lille dhe Milan lanë gjithçka të hapur përsa i përket çështjes së kualifikimit në grupin H të Europa League, pasi nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në përballjen e dytë mes tyre, e vlefshme për raundin e 4-t të ndeshjeve në grupe. Golit të Castillejos për Milanin në fillimin e pjesës së dytë iu kundërpërgjigj Bamba.

Lille ruajti kreun me këtë barazim në kuotën e 8 pikëve, ndërkohë që Milani vazhdon të jetë i dyti tashmë me 7 pikë, por falë fitores që Sparta e Pragës mori ndaj Celtic u rihap gara për kualifikimin, pasi çekët shkuan në kuotën e 6 pikëve.

Me golat e Pepe, Nelson dhe Balogun, Arsenali triumfoi 0-3 në transfertën norvegjeze ndaj Moldes dhe siguroi kualifikimin për në fazën tjetër në grupin B. Të njëjtën gjë bëri edhe Leicester në grupin G, teksa siguroi matematikisht kualifikimin, falë barazimit 3-3 që regjistroi në Portugali ndaj Bragës.

Më tej avancoi edhe Hoffenheim që fitoi 0-2 në transfertën ndaj Liberec dhe kryeson me pikë të plota grupin L. Nuk arriti të siguronte matematikisht kualifikimin Villareali që barazoi 1-1 në transfertën izraelite ndaj Maccabi Tel Aviv.

Në ndeshjet e tjera Lask u mposht 0-1 nga belgët e Antwerp në shtëpi, humbje pësoi Cska e Sofies ndaj Young Boys po 0-1, ndërkohë që hodhi një hap të sigurt drejt kualifikimit Dinamo e Zagrebit që triumfoi 0-3 ndaj Wolfsberger në Austri.