E martë, 22 Qershor, 2021

Fjalët e fundit të mësuesit Halit Geci: Edhe nëse vdes, po ndjehem pjesë e djemve që po luftojnë për liri

Janë bërë 23 vjet që nga vrasja e mësuesit Halit Geci dhe betejës së parë frontale të UÇK-së me forcat serbe.

Hysen Geci, dëshmitari i vrasjes së mësuesit Halit Geci, ka rrëfyer në Info Magazine në Klan Kosova, se si rrodhi ngjarja dhe bisedat e fundit që i kishte pasë me mësuesin.

“Pas pësimit të disfatës së Policisë së Trupave Serbe, që ishin atë ditë në periferi të Llaushës, në luftime me luftëtarët e UÇK-së, në tërheqje e sipër ata kur hynë në lagje, filluan të shtënat me armë në të gjitha anët; pa marrë parasysh që fëmijët vetëm sa kishin dalë nga shkolla dhe ishin futur në shtëpitë e tyre”.

“Në atë moment unë isha shumë afër shkollës, sepse më herët isha edhe afër vendngjarjes ku zhvilloheshin luftimet. Rastësisht, pashë që ata filluan të gjuajnë edhe në drejtim të shkollës. Hymë në shkollë dhe mësuesin Halit e pamë të ulur dhe shihej që kishte marrë plagë të rënda… ishte e nevojshme që menjëherë të intervenohej dhe ta dërgonim  në spital”.

“Tentuam që t’ia shpëtonim jetën. Mësuesi Halit, kërkoi prej meje dhe neve që ishim në automjet që mos ta dërgojmë,  pasi ishte i vetëdijshëm për plagët e rënda që i kishte marrë. Na tha: “mos më çoni, sepse e di që po vdes dhe nuk po më shqetëson fare kjo punë”.

“Derisa po zhvillohen ato krisma në mal dhe ne po zhvillonim mësim këtu, më shkoi mendja që të gjithë ata djem janë bashkëfshatarët tanë, që nuk po e dimë që a kanë shpëtuar ose jo”.

“Nëse une vdes, sot është një nder i madh, pasi po e ndjej veten si pjesë e atyre djemve, që po luftojnë në male për lirinë e vendit të vet”, ka treguar Geci, fjalët e fundit të mësuesit Halit Geci.