Monday, September 27, 2021

“Boll paske jetu dhe ma msheli telefonin”, ish-minatori thotë se kështu i tha drejtori pasi ia ndalën oksigjenin në Spital

Ish-punëtori i Trepçës, Sokol Begu, qe katër vjet është i varur nga kjo bombolë e oksigjenit, pasi që vuan nga sëmundjet kronike të mushkërive dhe diabetit.

Por, Begu oksigjen ka vetëm edhe për pak orë, pasi që atij i është ndërprerë furnizimi këtë të premte nga spitali i Mitrovicës së Jugut, transmeton koha vision.

“Diku rreth orës 12 më lajmëruan mirëmbajtësit e oksigjenit më thanë Sokol drejtoria na ka urdhëruar me e ndal oksigjenin unë i thashë më njihni mu, e dini gjendjen time, e sigurova numrin e drejtorit e thirra i thash drejtor këtë gjendje e dinë edhe spitali e krejt se ndoshta ti je drejtor i ri e që 4 vite jam me oksigjen me tha boll paske jetu edhe ma msheli”, tha Sokol Begu.

Ai tregon se herëve të tjera kur ka pasur mungesa të oksigjenit, i është mundësuar të shtrihet në Spitalin e Mitrovicës, derisa i është bërë një zgjidhje. Begu thotë se nuk ka mundësi financiare që të furnizohet vetë me oksigjen.

“I njehi minutat që nuk e bejë një zgjidhje diku deri në ora 9 masanej nuk mund të bëjë zgjidhje deri në 15-20 minuta, trupi është i palëvizshëm edhe trupi nuk funksionon, tha Sokol Begu.

Drejtori i spitalit të Mitrovicës, i cili është emëruar vetëm një javë me parë përmes telefonit ka mohuar se të njëjti i është ndalur furnizimi me oksigjen, por është ankuar se kanë probleme të shumta në këtë kohë me oksigjenin.

Ai tutje ka thënë se e gjitha është dezinformim dhe se Begu nuk ka përdorur për tërë këto vite oksigjen dhe se duhet biseduar me një mjek të QKMF-së në këtë komunë.

Derisa rritja e numrit të pacientëve që kanë nevojë për trajtim me oksigjeno terapi ka rritur edhe shpenzimet e oksigjenit në klinika të QKUK-së e spitale rajonale. Për furnizim me oksigjen SHSKUK-ja ka hapur tender në vlerë prej 2.2 milionë eurove.