Home Sport Armando Broja rikthehet te goli, Vitesse fiton dhe ndjek Ajaxin

Armando Broja rikthehet te goli, Vitesse fiton dhe ndjek Ajaxin

Një javë më parë humbi një rast flagrant me portën e boshatisur, por Armando Broja u konfirmua sërish titullar nga trajneri i Vitesses dhe shpërbleu më së miri besimin, pasi arriti të rikthehet te goli.

Sulmuesi kuqezi zbriti në fushë nga minuta e parë në ndeshjen ndaj Fortuna Sittard dhe arriti të dërgojë topin në rrjetë në minutën e 84-t, ndërsa vetëm 5 minuta më vonë la fushën e lojës në një zëvendësim taktik.

Vitesse ia doli të triumfojë me rezultatin 2-0 ndaj Fortuna Sittart, duke mbajtur ritmin e Ajaxit kryesues, ndërsa sfidën e zhbllokoi Darfalou në minutën e 72-të e më pas ishte Broja që vulosi suksesin, pasi u gjend në vendin e duhur për të shtyrë në rrjetë krosimin e Tanane.

Ky është goli i pestë i Armando Brojës në kampionatin holandez, ndërsa sulmuesi 19-vjeçar shqiptar është golshënuesi më i mirë i Vitesses, fanellën e të cilës e veshi pikërisht në këtë fillim sezoni. 

Most Popular