Home Qendrore Gjykata Speciale fton një veteran të UÇK’së

Gjykata Speciale fton një veteran të UÇK’së

Dega e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Lipjan, ka njoftuar për ftimin e Shefqet Bylygbashit, veteran, në cilësinë e dëshmitarit.

Kjo degë, përmes një njoftimi në ‘Facebook’, ka treguar se veterani i apostrofuar duhet t’i përgjigjet thirrjes më 8 dhjetor të këtij viti, raporton Gazeta Express.

“Veteranë të respektuar të UÇK-së, dhe ju Qytetarë të Kosovës, ju njoftoj se sot ju ka konfirmuar ftesa nga Gjykata specijale me seli në Hag Veteranit të UÇK-së z. Shefqet Bylygbashi, si dëshmitar i kësaj Gjykate. Shefqeti sipas ftesës duhet të lajmrohet më datë 08. 12. 2020. Kryetari A. M”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë Gjykatë, përgjatë ditës së sotme u shpalosën detaje nga vendimi i gjykatësit të Speciales, Nicolas Guillou, për konfirmim të aktakuzës ndaj ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi. Ai dyshon se ish-kryeparlamentari i Kosovës ka organizuar dhe koordinuar plane për vrasjen dhe keqtrajtimin e njerëzve gjatë luftës.

“Sa i përket pjesëmarrjes ose kontributit të z. Krasniqi në krimet nën pikat 1-10, materiali mbështetës tregon se z. Krasniqi vizitoi personalisht një numër vendesh në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja , përfshirë Likoc / Likovac, Jabllanicë / Jablanica, Malishevë / Malishevo, Kleҫkë / Klečka, zonat operacionale në Shalë, Llap dhe Kukës të Shqipërisë”, thuhet në këtë vendim.

Jakup Krasniqi akuzohet edhe se mori pjesë në takimet e komandantëve të zonave me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ku pretendohet se ishin lëshuar urdhra për ndalimin e njerëzve.

“Përveç kontributeve të përmendura më lart, z. Krasniqi mori pjesë në një seri takimesh ndërmjet komandantëve të zonave dhe anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm në të cilin janë lëshuar urdhra që të ndalohen bashkëpunëtorët dhe ambientet e paraburgimit të krijohen për këtë qëllim. Këto udhëzime u zbatuan nga komandantët e zonave”, thuhet tutje në vendim.

Në anën tjetër, ish-kreut të Organizatës së Veteranëve, Nasim Haradinaj, javën e fundit iu është shtyer paraburgimi edhe për një muaj tjetër. 

Most Popular