Tuesday, October 26, 2021

Conte: Interi ‘është gjallë’ në Ligën e Kampionëve

Interit i duhej me patjetër fitorja mbrëmë dhe pas shumë vuajtjesh arriti ta marrë, duke fituar me shifrat 2-3 ndaj Borussia Monchengladbach. Pas ndeshjes për mediet foli trajneri i zikaltërve, Antonio Conte.

FITORE E VËSHTIRË – “Gladbach po kalon formë të shkëlqyer, si në Bundesliga, ashtu edhe në Champions League. Nëse nuk je mirë faktikisht, fizikisht dhe më karakter të fortë, nuk fiton dot këtu. Ne absolutisht e meritonim të fitonim dhe sinqerisht mund t’i kishim shmangur aq shumë vuajtje në fund.

Mundëm udhëheqësit e grupit dhe jemi gjallë. Falënderoj djemtë, kishin shpirtin e duhur. Kur ata kanë këtë dëshirë për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të qenë një ekip i vërtetë, ne i shkaktojmë probleme kundërshtarit”.

NDESHJA – “Ajo që unë kërkoj nga djemtë është të rrisin nivelin e tyre të përgjegjësisë, atëherë ne mund të bëhemi skuadër ambicioze. Paraqitje si kjo provojnë që ekipi është atje, ne jemi të bashkuar, të gjithë po punojmë në të njëjtin drejtim dhe duam t’u japim tifozëve tanë gëzim”.

GOLI I BARAZIMIT – “Goli i Gladbach në pjesën e parë ishte jashtë rrjedhës së ndeshjes, por mund të na kishte dëmtuar shumë. Analizuam disa situata gjatë pushimit sepse bëmë gabime në pjesën e parë, por këta djem kishin nevojë për mbështetjen time në atë moment”.

BISEDA NË DHOMAT E ZHVESHJES – “U thashë atyre se duhet të vazhdonim dhe të rizbulonim cilësinë që kishim në fillim të ndeshjes dhe se do të shpërbleheshim me fitore. Jam i kënaqur që u vërtetua fjala ime sepse kur një trajner flet dhe ato gjëra nuk ndodhin, ju rrezikoni të humbni besimin e tyre”.

MESFUSHA- “Kemi bërë mirë si ekip. Në mënyrë të pashmangshme, mesfusha mund të jetë ndryshimi në një ndeshje. Mos harroni, kjo ishte ndeshja e parë e Brozovic që nga infektimi me COVID-19.

Nicolo Barella po luan vazhdimisht dhe kishte një problem në kofshë në pjesën e parë, por ne kishim Stefano Sensi dhe Christian Eriksen që sigurojnë cilësi, por jo aq forcë mbrojtëse sa të tjerët”.

VLERËSIMET – “Rrezikuam ca duke e mbajtur Barellan në fushë. Brozovic tregoi se mund të jetë i jashtëzakonshëm. Roberto Gagliardini është lojtar i besueshëm, në të gjitha kuptimet. Barella është 24 vjeç dhe është rritur shumë që nga sezoni i kaluar. Ai mund dhe duhet të përmirësohet shumë.

E njëjta gjë vlen edhe për Bastonin, i cili gjithashtu po bën shumë mirë. Le të themi që këto janë djem që mund të mbështetem në të gjitha kuptimet dhe është detyra ime t’i ndihmoj të piqen. Darmian erdhi nga një periudhë e vështirë në Angli, pastaj Parma, por ne besuam në të. Ai gjithashtu mund t’i japë Achraf Hakimit shansin të rritet me durim dhe jo shumë presion”, u shpreh Conte.