Saturday, September 25, 2021

Debatoi me gruan, eci në këmbë 450Km për të shfryrë nervat

Ai u largua nga shtëpia për t’u qetësuar pas një sherri që pati me bashkëshorten e tij. Një shëtitje që nisi në Como dhe përfundoi në Fano, dy qytete italiane, distanca mes të cilëve është 450 kilometra.

Protagonist i kësaj “shëtitjeje” tejet të gjatë është një 48-vjeçar, i cili është gjetur nga policia rreth orës 02:00 të mëngjesit, pasi kishte thyer ndalimin e lëvizjes gjatë këtij orari për shkak të pandemisë.

48-vjeçari u dërgua më pas në rajonin e policisë, ku u zbulua se ai mungonte në shtëpi prej gati një jave. “Il Resto del Carlino” shkruan se kur ai u ndalua nga policia në Fano ishte i kthjellët mendërisht, por i lodhur dhe i ftohur, ndërsa tregoi në polici për aventurën e tij.

“Eca në këmbë deri këtu, nuk përdora asnjë mjet. Njerëzit gjatë rrugës më ofruan ushqim. Jam mirë, por pak i lodhur”, tha ai.

Ndërsa, 48-vjeçari ishte në “shëtitje”, gruaja e tij denoncoi zhdukjen e burrit në policinë e Comos, ndërsa më pas shkoi e mori atë në Fano.