Saturday, September 25, 2021

Çfarë po ndodh në PDK? Jep dorëheqje figura e njohur

Pak javë pas humbjes së zgjedhjeve në Podujevë, kandidati i PDK-së dhe kryetari i degës së kësaj partie në këtë komunë, Naim Fetahu ka dhënë dorëheqje.

Fetahu ka thënë se këtë vendim e ka marr për arsye personale.

Për një periudhë, Fetahu ka thënë se do t’i kthehet familjes, por kjo nuk do të thotë që ai ka hequr dorë nga politika.

Naim Fetahu, kandidat i PDK-së për kryetar të Podujevës – Pdk

“Të nderuar qytetarë të Podujevës,
Po bëhen 30 vite që kur jam aktiv në jetën publike dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës se Kosovës.
Me besimin tuaj dhe përkushtimin tim, që nga paslufta kam shërbyer në pozita të ndryshme, duke filluar nga themelues e kryetar i parë i degës së PDK-së në Podujevë, deputet, zëvendësministër (në tri mandate), drejtor i ATK-së, e disa pozita tjera menagjeriale.
Të gjitha këto përgjegjësi shtetërore e institucionale i kam falë përkrahjes suaj. Besimi që ju më dhatë më bëri çdo herë e më energjik, të jem më obligues ndaj jush, ndërsa vlerësimin se sa ia kam arritur të jem afër jush do ta bëni më së miri ju dhe koha.
Në zgjedhjet e fundit hyra në garë për kryetar të komunës me qëllimin e vetëm që ta bëjmë ndryshimin në Podujevë, me dëshirën që Llapit e Gollakut t’i kthejmë dinjitetin. Por qytetarët i dhanë dikujt tjetër ketë besim, dhe si të tillë të gjithë pa dallim duhet ta respektojmë.
Këto 30 vite në shërbimin publik dhe aktivitete politike kanë bërë që të mos jem afër familjes aq sa duhet, e sidomos afër fëmijëve të cilët më shumë se kurrë kanë nevojë të jem afër tyre.
Prandaj, sot kam vendosur për arsye personale te jap dorëheqje nga pozita drejtuese në Degën e Partisë Demokratike në Podujevë. Kam vendosur që për një periudhë ti kthehem familjes.
Kjo nuk do të thotë se unë heqë dorë nga politika. Deri në frymëmarrjen e fundit unë do të jem në shërbimin tuaj, sepse u jam borxhli për përkrahjen që ma keni dhënë ndër vite.
Sot, përulem dhe nderoj veprën e atyre që nuk janë mesin tonë, me të cilët bashkërisht në moshë të re e nisëm aktivitetin politik, dhe të tjerëve që na përkrahën në aktivitetin tonë, ndërsa i falënderohem secilit votues veç e veç për çdo përkrahje e mbështetje që i ka dhënë Partisë Demokratike të Kosovës” shkruan Fetahu në njoftim.