Home Qendrore Thaçi tentoi të punësonte në Presidencë familjarin e një dëshmitari kundër tij...

Thaçi tentoi të punësonte në Presidencë familjarin e një dëshmitari kundër tij në Speciale

Konkursi tashmë i pezulluar nga u.d. së presidentes, Vjosa Osmani, ka qenë për pozitën – zyrtar i lartë për agjendë në Departamentin e Protokollit, që është mbyllur para dy javësh. Burime brenda Presidencës kanë thënë se qëllimi ka qenë që të rekrutohej familjari i një dëshmitari në Gjykatën Speciale, pjesë e aktakuzës kundër Thaçit.

Dyshimet për kurdisje në konkursin e shpallur gjatë kohës së ish-presidentit Hashim Thaçi e kanë shtyrë ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, që t’i pezullojë të gjitha konkurset në këtë institucion.

KOHA është informuar se konkursi ka qenë për pozitën – zyrtar i lartë për agjendë në Departamentin e Protokollit, që është mbyllur para dy javësh. Burime brenda Presidencës kanë thënë se qëllimi ka qenë që të rekrutohej familjari i një dëshmitari në Gjykatën Speciale, pjesë e aktakuzës kundër Thaçit.

Në Presidencë nuk e kanë mohuar e as pohuar këtë. Vetëm kanë thënë se pozita është hapur duke e ditur paraprakisht se kush do të zgjidhet.

“U.d. së presidentes është e përkushtuar që mandatin e përkohshëm në Presidencë ta ushtrojë me përgjegjësi duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, por edhe meritokracinë. Kemi pasur informacione se konkursi i shpallur ka qenë vazhdimësi e një përpjekjeje për të rekrutuar dikë, duke e ditur paraprakisht rezultatin. Këtë çështje duhet parë përtej emrit konkret, sepse kjo ka të bëjë para së gjithash me respektim të ligjshmërisë”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i ushtrueses së detyrës së presidentes.

Sipas tij, konkursi nuk e ka pasur as aprovimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

“Pas disa kërkesave drejtuar administratës së Zyrës së Presidentit për anulimin e konkursit aktiv për pozitën – zyrtar i lartë për agjendë në Departamentin e Protokollit, i cili me rastin e shpalljes nuk kishte aprovim paraprak të MPB-së, përmes sistemit të integruar të burimeve njerëzore (SIBNJ), e pa të cilin sipas praktikave të mëhershme nuk do të duhej të shpallej, pas hezitimit të Administratës për ndërprerjen e të gjitha veprimeve administrative lidhur me të në datën 26.11.2020, u.d. së presidentes Osmani ka pezulluar të gjitha konkurset aktive në kuadër të Zyrës së Presidentit, si dhe ka ndaluar shpalljen e konkurseve të reja”, ka thënë ai.

Ish-këshilltarë të Thaçit kanë thënë se nuk janë dijeni për zhvillimet rreth këtij konkursi. Sipas Ardian Arifajt, procedurat e rekrutimit gjithherë kanë kaluar nëpërmjet administratës së Presidencës.

Mospajtimet mes sekretarit dhe u.d. së presidentes

Por brenda administratës ka pasur rezistencë për të mos i stopuar procedurat e rekrutimit, zhvillim ky që ka çuar edhe në mospajtime mes sekretarit të Presidencës, Driton Gashi dhe ushtrueses së detyrës së presidentes.

Ish-shefi i AKI-së, Gashi, ka deklaruar se qëndrimet i ka dhënë me shkrim tek ushtruesja e detyrës dhe se nuk dëshiron që nëpërmjet mediumit të polemizojë me të.

“Qëndrimet e mia në këtë farë situate janë në raport me ushtruesen e detyrës së presidentes, unë nuk jam tip që komunikoj nëpërmjet gazetarëve. Sa i përket konkursit, nuk kemi mbërri me u pa dhe nuk jemi taku. Çkado që kam shtesë, ma përpara ua përcjelli direkt sesa nëpërmjet mediumit”, ka theksuar Gashi.

Gashi nuk ka qenë fizikisht javët e fundit në Presidencë për arsye shëndetësore dhe e kishte caktuar ushtruese të detyrës Lumnije Muratin.

Pas zhvillimeve rreth këtij konkursi Murati ka dhënë dorëheqjen. Siç merr vesh KOHA, dorëheqja ndodhi për shkak të ankesave për presion nga sekretari, por edhe nga shefi i stafi të ushtrueses së detyrës së presidentes.

Por Murati i ka mohuar këto.

“Arsyeja pse kam dhënë dorëheqjen ka qenë se si drejtoreshë e Departamentit të Administratës dhe Buxhetit është fundi i vitit fiskal dhe kemi aq shumë punë me buxhet dhe kërkesa saqë nuk kam mundur me i përballu të dyja pozitat në të njëjtën kohë”, ka thënë ajo.

Stafi i u.d. së presidentes mohon të ketë ushtruar presion

E Bekim Kupina ka mohuar të jetë ushtruar presion nga shefi i stafit të u.d. së presidentes ndaj zyrtarëve të Presidencës.

“Ish u.d. e sekretares në Zyrën e Presidentit, znj. Lumnije Murati, ka dhënë dorëheqjejen. Nëse ka pasur presion nga sekretari i Presidencës për të mos i ndarë informacionet e nevojshme për funksionimin efikas në institucionin më të lartë të vendit, për një veprim të tillë ka pasur mundësi të bëjë ankesë te mekanizmat përgjegjës. Ndërsa sa i përket apostrofimit të shefit të stafit në Presidencë, z. Faton Peci, nuk kemi të bëjmë me ushtrim të asnjëlloj presioni”, ka deklaruar ai.

“Kërkesa për qasje në dokumentacionin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për punë në Presidencë në asnjë mënyrë nuk nënkuptojnë e as nuk mund të interpretohet si presion. Përkundrazi, kërkesat tona si kabinet janë kryesisht në përmbushjen e ligjshmërisë dhe kriterit të transparencës”.

Edhe Gashi ka mohuar të ketë ushtruar presion për mosndarje të informatave. Gashi pati dhënë dorëheqjen nga shefi i AKI-së para dy vjetësh, pas deportimit të gjashtë shtetasve turq. Dorëheqja kishte ardhur pas kërkesës së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj që pati kritikuar Gashin dhe ish-ministrin e Brendshëm, Flamur Sefa, për mosinformim në lidhje me aksionin. Pasi la AKI-në, Thaçi e kishte emëruar Gashin këshilltar të tij, e më vonë ai do të zgjidhej sekretar në Presidencë.

Punësimet e dëshmitarëve të mundshëm

Në 22 faqet e argumentimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, se pse Thaçi duhet të mbahet në paraburgim, mes tjerash, janë përmendur punësimet e dëshmitarëve të mundshëm të Speciales. Aty përmenden dy këshilltarët e Thaçit, njëri prej të cilëve është pjesë e aktakuzës – Sylejman Selimi dhe Rrustem Mustafa.

Është pyetur edhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nëse kanë identifikuar përpjekje tjera për punësime të dëshmitarëve. Ata kanë thënë se veç atyre që janë publike nuk ofrojnë informata për çështjet që janë duke u hetuar.

“Detajet që ju citoni janë pjesë e domenit publik, pasi ato janë publikuar në aktakuzë. Sidoqoftë, ZPS nuk mund të ofrojë informacione përkitazi me hetimet e veta”, ka thënë Christopher Bennett nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Gazeta ka dy javë që ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga ekipi mbrojtës i Thaçit nëpërmjet avokatit Dastid Pallaska, por ka munguar përgjigjja.

Most Popular