Monday, September 27, 2021

Ozili është njeri besnik dhe do ta respektojë kontratën me Arsenalin

Mesut Ozil nuk do të largohet nga Arsenali në janar dhe ka për qëllim të qëndrojë deri në përfundim të marrëveshjes, pavarësisht se është i dëbuar nga klubi, ka thënë menaxheri i tij Erkut Sogut.

Ozil u përjashtua nga skuadrat e trajnerit Mikel Arteta për ndeshjet e Premierligës dhe ato të Ligës së Evropës në tetor dhe nuk mund të thirret për të luajtur të paktën deri në janar, kur listat e futbollistëve ndryshojnë, transmeton Gazeta Express.

Ish-mesfushori i Real Madridit – të cilin Arsenali e bleu më 2013 për një shumë rekorde të klubit atë kohë, 46 milionë euro – nuk e ka bërë asnjë paraqitje që prej 7 marsit.

Derisa menaxheri i tij Sogut këmbëngul se shumë klube kanë shfaqur interesim për ta transferuar Ozilin, ai thotë se ish-përfaqësuesi i Gjermanisë – të cilit i mbaron kontrata në fund të këtij sezoni – është plotësisht i përqendruar në Arsenalin.

“Madje edhe një ditë është kohë e gjatë në futboll, kurrë nuk i dihet”, tha Sogut.

“Natyrisht se shumë klube janë të interesuara për ta transferuar atë. Kjo nuk ka ndryshuar kurrë por qëllimi i tij është ta nderojë kontratën. Ai është njeri i fjalës dhe është besnik. Në ditët e sotme është e vështirë të gjesh besnikëri”, shtoi ai.

“Ai nuk po mendon për klubet e tjera por vetëm për atë me të cilin ka kontratë. Është turp që Ozil nuk po luan”, theksoi ai.