Saturday, October 16, 2021

Shuma me të cilën kompensohen kosovarët për një ditë të kaluar në burg pa faj

Mbi gjysmë milioni euro janë shpenzuar nga shteti në dy vitet e fundit për kompensimin e personave që kanë qenë të dënuar ose janë mbajtur në paraburgim pa faj. Vetëm gjatë këtij viti, kërkesë për kompensim kanë bërë mbi 100 persona. Por, sa euro kompensohet një person në Kosovë për një ditë të kaluar në burg pa faj dhe a është kjo shumë e mjaftueshme?

Privimi nga liria i personave të pafajshëm mund t’i kushtojë me miliona euro shtetit të Kosovës.

Shumica e atyre që kanë qenë të dënuar ose janë mbajtur në paraburgim pa faj, tashmë kanë paraqitur kërkesë për kompensim financiar.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se vetëm gjatë dy viteve të fundit janë kompensuar rreth 300 persona që kanë qenë të dënuar ose arrestuar pa faj.

Për kompensimin e tyre, shteti ka shpenzuar mbi gjysmë milioni euro.

“Në vitin 2019 shuma që është kompensuar për personat e lartpërmendur është 455,011.41 € (Katërqind e pesëdhjetë e pesëmijë e njëmbëdhjetë euro e dyzet e një cent), ndërsa për vitin 2020 shuma që ju është kompensuar personave është prej 238,082.00 € (Dyqind e tridhjetë e tetëmijë e tetëdhjetë e dy euro)”, kanë deklaruar nga KGJK’ja.

Por, sa kompensohet një person i cili ka qenë i burgosur pa faj dhe a është kjo shumë e mjaftueshme për kompensim?

Nga KGJ’ja tregojnë se për një ditë të qëndrimit në paraburgim, një person paguhet si në vijim:

-Për dëmin material 9 €

-Për dëmin jo material 6 €

-Në emër të shpenzimeve të avokatit, 60 € për përpilim të kërkesës për kompensim dhe 60 € për pjesëmarrje në seancë gjyqësore

-50 € në muaj në emër të pakove dhe vizitave familjare

Por, një pagesë e tillë është e pamjaftueshme sipas Avokatit të Popullit, Naim Qelaj.

Në një intervistë për Gazetën Express dhe Televizionin 7, Qelaj ka thënë se pagesa prej 16 euro për një ditë të qëndrimit në burg, nuk e kompenson dëmin moral.

“Personat që janë të privuar nga liria, kanë të drejtë të kompensohen, por kompensimi bëhet në një mënyrë të tillë që s’është më e përshtatshme. Shumë pak raste ka kur aktgjykimi bëhet publik për pafajsinë për opinion dhe kuotat e përcakuara për kompensim janë shumë të ulëta.

Të kompenzohet vetëm si të themi shpenzimet që i ka kriju familja për vizita edhe një lloj fitimi i humbur se s’ke pas mundësi që t’i ushtrosh aktivitetet e përditshme jetësore, por nuk të kompenzohet asgjë morale e që është pjesa më e rëndësishme dhe për këtë duhet të reflektojë Ministria e Drejtësisë”, thotë Qelaj.

Se një pagesë e tillë është e ulët vlerësojnë edhe njohësit e sistemit të drejtësisë. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se kjo shumë nuk përkon me dëmin moral që iu shkaktohet personave.

“Tarifat e KGJK-së përcaktojnë shumën ditore që iu kompenzohet personave për shkak të denimit apo arrestimi pa arsye apo bazë ligjore.  Pëërderisa dëmi material kompenzohet në shumën prej nëntë Euro në ditë, dëmi jo material kompenzohet vetëm gjashtë Euro në ditë, që është një shumë simbolike dhe nuk përkon me dëmin moral që iu shkaktohet personave të cilët për shkak të mos profesionalizmit të institucioneve shtetërore vuajnë pasojat e denimit apo arrestimit pa arsye dhe bazë ligjore”, thotë Miftaraj.

Sipas tij, prokurorët dhe gjykatësit duhet të bëjnë kërkesë dhe ta caktojnë masën e paraburgimit vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe kur e kërkojnë interesat e drejtësisë për të siguruar gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Në raste të tjera, ai thotë se duhet të caktohet masa e arrestit shtëpiak dhe lajmërimit në polici.

“Prokurorët gjatë kërkesave për paraburgim dhe gjykatësit gjatë caktimit të masës së paraburgimit duhet që vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe vetëm kur e kërkojnë interesat e drejtësisë për të siguruar gjykim të drejtë, pavarur dhe të paanshëm të caktojnë masën e paraburgimit.  Përderisa, në cdo rast penal kur kjo masë nuk është e domosdoshme gjykatat mund të caktojnë masa tjera qoftë të arrestit shtëpiak, lajmërimit në polici apo masa tjera të cilat sa më pak i kufizojnë dhe cenojnë të drejtat dhe liritë themelore”, thuhet në përgjigjet e Miftarajt.