Monday, October 25, 2021

Edhe Nuredin Lushtaku me akuza të rënda për Sami Lushtakun

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku ka folur për përplasjet verbale mes Kryetarit të Skenderajt, Bekim Jasharit dhe ish-kryetarit, Sami Lushtaku.

Nuredin Lushtaku ka thënë në Kanal 10 se deklaratat e Bekim Jasharit për Sami Lushtakun nuk i sheh si përplasje, por si të vërteta.

“Deklaratat e Bekim Jasharit për Sami Lushtakun i shoh si të vërteta. Samia është e vërtetë që është larguar nga Kosova në vitin 1993, ndërsa është kthyer në vitin 1998 edhe pse mundësitë kanë qenë që të kthehen edhe më herët”, ka thënë Nuredin Lushtaku, transmeton Portali.info.

Ai ka thënë se Sami Lushtaku është mirë që është kthyer në Kosovë edhe në vitin ’98, ndërsa ka thënë se nuk mund t’ia mohojë askush Samisë të bëmat gjatë luftës, por as nuk mund t’ia mbulojë të këqijat.

Ndryshe, Nuredin Lushtaku ka thënë se është e vërtetë që Sami Lushtaku ka blerë tokë gjatë luftës.

“Është e vërtetë që ka blerë tokë gjatë luftës, kjo ka ndodh pas ofenzivës së shtatorit. Unë nuk e di kujt ka mund t’i shkojë mendja në atë kohë të blejë tokë, kur Drenica dihet se ka qenë mjerim, njerëzit s’kanë pasur strehim”, ka thënë Lushtaku.

Ai ka thënë se ajo tokë është blerë nga Musë Lushtaku, ndërsa ka thënë se paratë për atë tokë nuk kanë qenë të Samisë e as të familjes, pasi që kanë qenë diku rreth 50 mijë marka.

Nuredin Lushtaku ka thënë se për këtë tokë dhe paratë e saj, janë dëshmitar edhe plot persona të tjerë, ku ka përmendur Jetullah Gecin, Ramiz Lladrovcin etj.

“Ato para kanë qenë të luftës, nuk kanë qenë të Samisë. Njerëzit kanë shitur pasuri të tyre për të përkrahur luftën, ku Samia ka qenë komandant zone, por ky i ka shfrytëzu ato pare që janë bërë me gjak. Unë nuk e di si ndihet ai njeri”.