E premte, 25 Qershor, 2021

Rrëfimi i tmerrshëm i Vasfije Krasniqit: Iu luta atyre të më vrisnin, derisa më përdhunonin

Në konfliktet e armatosura abuzimi i vajzave dhe grave shpesh bëhet si një “armë e luftës”. Qëllimi i keqbërësve është t’i shkatërrojnë personalitetet e grave dhe t’ua grabisin dinjitetet, duke arritur kështu shkatërrimin e shoqërive të tëra. Në atë kohë vetëm 16 vjeçe, Vasfije Krasniqi-Goodman u detyrua të kalonte në një sprovë të tillë gjatë luftës së Kosovës më 1999-n. Ajo u përdhunua brutalisht nga dy serbë – njëri prej të cilëve ishte oficer policie.

“Iu luta vazhdimisht policit të më vriste”, thotë ajo, por torturuesit e saj donin ta shihnin që vuante.

Sven Lilienstrom, themeluesi i “Faces of Peace”, foli me Vasfije Krasniqi-Goodman për ditën që ndryshoi gjithçka.

Zonja Krasniqi-Goodman, faleminderit që gjetët kohën për këtë intervistë. Si “fytyrë” e re në iniciativën për “Faces of Peace”, do të donim fillimisht të ju pyesnim çfarë nënkupton “paqja” për juve personalisht?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Si fillim, dua t’ju falënderohem që morët iniciativën dhe më kontaktuat. Mendoj se paqja ndikohet drejtpërdrejt nga dy faktorë, faktorët e brendshëm dhe të jashtëm. Edhe pse faktorët e jashtëm janë ata me ndikim më të madh këtu, për sa i përket fillimit të vetë procesit të ndërtimit të paqes, për mendimin tim gjithçka fillon me paqen e brendshme. Kur një individ arrin paqen e brendshme, kjo në fund të fundit do t’i bëjë ata të rezonojnë ose ta shndërrojnë atë në një paqe të përgjithshme të jashtme. Ky pra është një fillim për ndërtimin e paqes në botë, një synim që duket shumë larg për momentin.

Ju jeni përdhunuar nga dy serbë gjatë luftës në Kosovë më 1999-n, njëri nga ta ishte oficer policie. Çfarë mund të na thoni për 14 prillin, 1999? Si ndryshoi jeta juaj në ditës dhe javët pasuese?

Vasfije Krasniqi Goodman: Për mua dhe sigurisht për shumë të tjera ajo ishte “dita e apokalipsit”, dita që m’u duk si e fundit e jetës sime. Si fëmijë 16 vjeç në atë kohë frika që ndjeva ishte tmerruese dhe mungesa e informacionit se çfarë po ndodhte përreth e bënte edhe më të rëndë. Ndonjëherë shikonim BBC-në ose CNN-në dhe i shihnim ngjarjet e tmerrshme të masakrave të kryera nga forcat serbe dhe vrasjet e fëmijëve. Por nuk kisha pothuajse fare informacione për rastet e përdhunimit që po ndodhnin. Më kujtohet kur oficeri më mori me dhunë derisa më kërcënonte me një armë zjarri. Më dërgoi në veturën e tij dhe më përdhunoi, u ndjeva e pashpresë dhe e shkatërruar. Pas kësaj ai më dërgoi në një fshat, ku ishin mbledhur një grup njerëzish. Ata qeshnin me mua dhe më kërcënonin, e gjithë kjo derisa unë po qaja pa kontroll. Pas kësaj një tjetër burrë i moshuar më dërgoi në një shtëpi të afërt dhe më përdhunoi. Dukej si civil, por kishte me vete një armë zjarri. Unë dhe familja ime veçse kishim përjetuar mjaft dhe përdhunimi vetëm sa iu shtua plagëve të mia emocionale dhe fizike. Ajo ditë më theu shpirtin dhe u duk sikur jeta ime e humbi kuptimin. Për një kohë të gjatë jetova vetëm pse duhej.

Keni thënë në një intervistë televizive dy vjet më parë: “Vazhdimisht e luta policin të më vriste, por ai më tha se vuajtjet e mia do të ishin më të mëdha nëse do të më lejonte të jetoja”. Përse do të preferonit të vdisnit në atë kohë?

Vasfije Krasniqi Goodman: Është e vërtetë, pasi më morën vërtet besoja se do të më vrisnin menjëherë – këtë po ua bënin shumë të tjerëve. Veçse isha e shtangur; e dija se gjëra të këqija do të më ndodhnin dhe ashtu ndodhi. Përgjërimi për të më vrarë ishte opsioni më i mirë që m’u kujtua. Ai opsion ishte më i mirë për mua sesa të gjitha gjërat dhe përjetimet që i përjetova. Thjesht doja që gjithçka të merrte fund. M’i bënë të gjitha gjërat e neveritshme që ma ndryshuan dhe thyen krejtësisht shpirtin tim. Virgjërinë ma mori një kriminel; thjesht nuk doja të isha e gjallë në një realitet ku ndodhi e gjithë kjo. Por ai tashmë e kishte vendosur mendjen e tij dhe, me vendosmëri vërtet të keqe, ai më la të jetoja, duke e ditur se do të vuaja më shumë nëse nuk do të kisha vdekur. Dhe kështu ndodhi!

Vajzat dhe gratë po i nënshtrohen një dhune me bazë gjinore në konfliktet e armatosura në të gjithë botën. Pse është e rëndësishme për gratë e guximshme, siç jeni ju, për të folur për këtë? A mund të na thoni se çfarë ndodhi me kryesit e veprës?

Vasfije Krasniqi Goodman: Gratë në Kosovë u janë nënshtruar krimeve të shumta për vite të tëra. Ato janë torturuar nga forcat serbe, jo pse janë parë si gjini më e dobët, por sepse gratë janë të ndërlidhura direkt me vazhdimin e jetës dhe prosperitetin e saj. Aparati i shtetit serb kishte në cak vazhdimisht gratë me synimin e afektimit të popullatës dhe t’i detyronte ata të largoheshin nga territori përjetësisht. Besoj se kjo po strategji zbatohet edhe në pjesë tjera të botës. Në disa vende gratë edhe merren si të burgosura të luftës nga këto “ushtri” të tmerrshme dhe shfrytëzohen për t’i kryer epshet e tyre shtazarake. Në rastin tim, vazhdimisht kam luftuar për t’i sjellë ata kriminelë para drejtësisë, por ata ende ecin të lirë, derisa unë kërkoj drejtësi.

Derisa shenjat fizike shërohen dikur, ato psikologjike marrin më shumë kohë. Si i keni procesuar ngjarjet e prillit të vitit 1999, a ka momente kur e kaluara të kthehet?

Vasfije Krasniqi Goodman: Lëndimet trupore më janë shëruar. I mbijetova vdekjes, por mendja dhe shpirti im kurrë nuk do të jenë në gjendje të rehabilitohen plotësisht, edhe pse gjithmonë e kam pasur mbështetjen e familjes dhe tani të mbarë botës. Nuk kalon mëngjes pa u zgjuar me kujtimin e asaj ngjarjeje të tmerrshme që më ka ndodhur mua dhe mbi 20.000 viktimave tjera. Është ndjenjë e rëndë për ta bartur dhe mund ta ndiej lodhjen e shpirtit tim. Të përdhunohesh është diçka që të burgos dhe vazhdon të ju godas çdo ditë e më shumë. Nuk mund të imagjinoj ndonjë eksperiencë krahasimisht më të tmerrshme. Ndonjëherë të bën të ndjesh se jeta që kam bërë ishte e pavlefshme për shkak të saj. Tani ua kam përkushtuar jetën time burrave dhe grave të tjera që kanë provuar përjetime të ngjashme me timen dhe unë me ekipin tim do të provojmë sa më shumë që të parandalojmë krime të tilla të tmerrshme të ndodhin sërish.

Hashim Thaçi njoftoi dorëheqjen e tij si president i Kosovës në nëntorin e vitit 2020, pas aktakuzës ndaj tij për krime lufte nga një Gjykatë Speciale e Kosovës. Sipas mendimit tuaj, a po ndiqen mjaftueshëm kriminelët e luftës?

Vasfije Krasniqi Goodman: Nga dita që jam përdhunuar unë dhe familja ime jemi ballafaquar me këtë rast, kemi besuar shumë në drejtësi dhe aktivisht e kemi kërkuar atë. Asnjëherë nuk do ta kisha menduar se një organizatë ndërkombëtare si UNMIK-u nuk do ta konsideronte përgjegjësi të veten vendosjen e drejtësisë për krimet e ndodhura në Kosovë. Ata kurrë s’u morën me rastin tonë ose ndonjë rast tjetër të kësaj natyre. Edhe gjatë misionit EULEX-i në Kosovë, më vonë, kur e çuam rastin tim në gjykatë më 2013-n, UNMIK-i deklaroi se i kishte humbur dosjet e mia. Kjo bëri që EULEX-i t’i shpallte dhunuesit e mi të pafajshëm, gjë që për mua dhe familjen time ishte shkatërruese. Vetëm dua të them se gjatë periudhës UNMIK – EULEX në Kosovë nuk u trajtuam drejt nga këto organizata. Viktimat u zhgënjyen edhe më tej nga “Haga”, ku asnjë rast i vetëm nuk u soll para drejtësisë. Kjo është absurde. Në anën tjetër, Kosova ka shfaqur një ndjenjë përkushtimi për t’i sjellë para drejtësisë kryerësit e këtyre krimeve. Ne, viktimat e luftës në Kosovë, do të presim edhe më tej që drejtësia të vijë, edhe pse duket se për ne nuk po vjen. Është e dhimbshme të shohësh të ndodhë kjo, derisa këta kriminelë tani mbajnë pozicione shtetërore në Serbi.

Zonja Krasniqi-Goodman, në një intervistë dr. Mukwege po ashtu kritikoi politikat ndërkombëtare dhe deklaroi se dhuna kundër grave është diçka që “turpëron njerëzimin tonë të përbashkët”. Cilat janë pritjet tuaja nga politika?

Vasfije Krasniqi Goodman: Në rastin tonë forcat serbe e përdorën përdhunimin si “armë sistematike” për ta arritur qëllimin e tyre në shumë mënyra. Ajo çfarë bënë ata turpëron Evropën. Si mundet Evropa të lejojë një vend tjetër evropian të kryejë krime të tilla kundër popullatës tjetër të pambrojtur nën juridiksionin e saj? Këto krime japin prova të shumta të dëshirës së disa vendeve për të shkatërruar popullata të tjera. Unë jam këtu edhe pavarësisht përpjekjeve të tyre për ta bërë këtë, ndërsa nuk e lejoj kurrë veten të mbushem me urrejtje ose ta lejoj shpirtin tim të dorëzohet për shkak të vuajtjeve. Do të vazhdoj të hedh hapa drejt drejtësisë dhe të avokoj për drejtësi. Bota duhet t’i marrë këta hapa me mua dhe të japë dënimin e duhur për këto krime, në mënyrë që t’i parandalojë përdhunimet e luftës në të ardhmen.

Zonja Krasniqi-Goodman, faleminderit shumë për intervistën!