Monday, September 20, 2021

Varianti i ri i COVID-19 mund të jetë prezent në Kosovë

Britania e Madhe së fundmi është përballur me një rritje të shpejtë të rasteve të infektuara me COVID-19, e cila erdhi si pasojë e shfaqjes së një varianti të ri të virusit COVID-19. Ky variant i cili vlerësohet të jetë përhapur nga muaji nëntor i këtij viti, mund të jetë prezent edhe në Kosovë. Tashmë disa shtete janë izoluar nga Britania e Madhe, por që në Kosovë nuk është marrë ndonjë masë izoluese. Mikrobiologu Lul Raka, ka bërë të ditur se varianti i ri i këtij virusi nuk është më i rrezikshëm se ai aktual, ndërsa drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka thënë se laboratori i institutit i diagnostikon edhe rastet me mutacionin e ri.

Varianti i ri i virusit COVID-19 i cili është përhapur në Britaninë e Madhe e në disa shtete tjera, po vlerësohet të jetë prezent edhe në Kosovë.

Varianti i ri i këtij virusi thuhet se po përhapet 70 për qind më shpejtë se sa varianti aktual, derisa nuk ka shumë informacione për të.

Infektologu Ilir Tolaj, ka thënë për Express se më që tashmë janë regjistruar raste me këtë variant të ri në së paku tre shtete të Evropës pos Britanisë së Madhe, atëherë ai mund të jetë prezent edhe në Kosovë.

Ai ka thënë se qarkullimet e qytetarëve nga Britania e Madhe dhe nga Kosova nuk janë ndalur, andaj edhe lehtësisht ky virus ka mundur të përhapet në vend.

“Me që po konstatojmë se mundësia e prezencës së këtij varianti të virusit në Kosovë është reale, atëherë është lehtësisht e mundur që ndonjë i sëmurë dhe i hospitalizuar ta ketë pasur infeksionin me këtë variant mutant të virusit”, ka thënë ai.

Tolaj është shprehur se kimikisht nuk ka dallime mes infeksionit dhe ecurisë së sëmundjes mes varianteve të mëhershme të virusit dhe variantit tash të zbuluar, andaj edhe ky variant mund të vihet re.

Sipas tij, edhe në aspektin e mjekimit të këtyre të sëmurëve nuk ka asnjë dallim nga mjekimet e deritashme që u janë bërë të sëmurëve me COVID-19.

“Të dhënat e hershme flasin se ky variant i virusit dallohet për aftësi më të mirë të realizimit të përcjelljes nga një person në tjetrin. Kjo edhe është e natyrshme. Masat kufizuese i detyrojnë viruset që t’i nënshtrohen ndryshimit të tyre në mënyrë që të jenë më efikas në përhapjen e infeksionit dhe të jenë më të suksesshëm sesa që janë masat për parandalimin e përhapjes së tyre”, ka deklaruar ai.

Tolaj ka thënë se nga fillimi i pandemisë e deri tani janë regjistruar më shumë se 1 mijë e 600 mutacione të ndryshme të këtij virusi.

Tutje ai është shprehur se me vaksinën anti-Covid, të gjithë këto variante të virusit mund të parandalohen.

Përndryshe, pas përhapjes së këtij varianti të COVID-19 në shtetet tjera, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë rekomanduar qytetarët që të testohen për këtë virus.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka thënë sot para mediave se bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë po bëjnë përpjekje që të nxisin të gjithë qytetarët të testohen, pasi që sipas tij, laboratori i diagnostikon të gjitha rastet me mutacione.

“Kohëve të fundit keni dëgjuar se Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve më 20 dhjetor ka publikuar një vlerësim risku për COVID-19. Duke marrë parasysh situatën supozohet se variant i ri i këtij virusi është më shpejt i transmetueshëm dhe ka një rritje transmisionit deri në 70 herë më tepër. Ne kemi mungesë të provave për të treguar shkallën e përhapjes së këtij virusi jashtë Britanisë. Por, qytetarët që kanë nevojë duhet të vijnë e të testohen”, ka shtuar ai.

Ndërsa, mikrobiologu, Lul Raka, ka bërë të ditur dje se deri tani nuk është raportuar se varianti i ri i COVID-19 ka një shkallë më të lartë të vdekshmërisë.

Ai ka kërkuar që të respektohen masat mbrojtëse ndaj COVID-19, të shmangen udhëtimet në zonat e prekura me këtë virus e të mbikëqyren rastet e dyshuara të ri-infektimit të COVID-19.

Përndryshe, derisa në Britaninë e Madhe është zbuluar varianti i ri i COVID-19, Kosova ende nuk ka marrë ndonjë masa izolimi ndaj këtij shteti.

Shumë vende tjera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë i kanë ndaluar fluturimet atje.