Home Lajme Koalicionet parazgjedhore, kush me kë pritet të bëjë marrëveshje

Koalicionet parazgjedhore, kush me kë pritet të bëjë marrëveshje

Subjektet politike kanë filluar negociatat mes partnerëve të mundshëm për të garuar së bashku në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në fillim të vitit të ri.

Partitë më të mëdha në vend, përkundër që zyrtarisht nuk kanë dalë me ndonjë qëndrim nëse do të jenë me ndonjë subjekt në koalicion, sërish takimet nuk po i ndalin.

Syri.net Kosova përmes burimeve të saj të sigurta gjatë ditës së djeshme ka raportuar se PDK-ja është në negociata me Nismën e Fatmir Limajt. Për këtë të fundit po thuhet që janë rezervuar edhe 20 vende në listën zgjedhore të PDK-së.

Nuk është vetëm Nisma Socialdemokrate që ka folur me PDK-në. Një gjë të tillë e ka bërë edhe AKR-ja përmes përfaqësuesve të saj, merr vesh Syri.net Kosova. Në fakt subjekti i Behxhet Pacollit këtë herë po tenton që të shkojë në koalicion me njërën nga tri paritë e mëdha. Bazuar në burimet tona brenda AKR-së, Pacolli është i interesuar që të shkojë me LDK-në, por ka zëra që duhet të shohin edhe nga dy paritë tjera më të mëdha e që nuk kanë qenë në koalicion më parë.

LDK-ja deri më tani nuk është shumë e interesuar që të ketë koalicion parazgjedhor me ndonjërën nga partitë. Ata janë në një betejë të brendshme për ta zgjedhur kandidatin e tyre për kryeministër. Janë duke u përfolur emrat e Lutfi Hazirit (që publikisht ka dalë që më nuk do t’i futet garës për të parin e Gjilanit) dhe ministrit të Infrastrukturës në detyrë, Arban Abrashit. Por nga burimet brenda LDK-së, Syri Kosova merr vesh si emër u mundshëm mund të jetë edhe ministri i Bujqësisë në detyrë, Besian Mustafa.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje nuk ka mohuar as pohuar që do ketë koalicion parazgjedhor me dikë, përveç që është Mimoza Kusari Lila me Alternativën që do garojë sërish në kuadër të listës zgjedhore të LVV-së. 

Ngjashëm pritet të veprojë edhe Vjosa Osmani me njerëzit e saj, afatet kohore nuk janë në favor të Osmanit për të zyrtarizuar iniciativën e saj, andaj ajo do të garojë më disa emra brenda listës së VV.

Syri.net Kosova ka arritur të marrë informacione që listës së Vjosës do t’i bashkohen disa emra të njohur të shoqërisë civile dhe të politikës brenda LDK-së dhe jo vetëm.

Gjatë dy ditëve të shkuara, partitë politike kanë pasur takime me u.d. e Presidentes Vjosa Osmani, ku kanë folur për datën e mundshme të zgjedhjeve të jashtëzakonshme./Syri.net Kosova

Most Popular