Home Lajme Kush s’mund të kandidojë e kush s’do të duhej të bëhej deputet,...

Kush s’mund të kandidojë e kush s’do të duhej të bëhej deputet, sipas një interpretimi të aktgjykimit

Gjashtë përfaqësues politikë të popullit në institucionet shtetërore, përfshirë ish-kryeministrin Albin Kurti, s’do të mund të garojnë në zgjedhjet e ardhshme, sipas një interpretimi të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas të njëjtit interpretim, katër prej tyre, përfshirë sërish ish-kryeministrin Albin Kurti, s’do të duhej të lejoheshin të garonin as në zgjedhjet e fundit që u mbajtën vitin e kaluar.

Qytetarët e Kosovës do të duhet të dalin në zgjedhje për herë të dytë brenda një viti e gjysmë. Kështu ka urdhëruar Gjykata Kushtetuese të hënën në mbrëmje përmes një aktgjykimi. Kjo gjykatë ka gjetur parregullsi në votimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, i cili e mori detyrën e kryeministrit në qershor. Zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpallja e tyre nga Presidenti, pozitë që përkohësisht po ushtrohet nga Vjosa Osmani.

Rrëzimi i Qeverisë dhe urdhërimi për shkuarjen në zgjedhje ishin dy pikat më të rëndësishme të aktgjykimit të Kushtetueses, por një nga konstatimet e Gjykatës Kushtetuese u bë temë e veçantë. Sipas një interpretimi të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ish-kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë që në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar e kishin fituar nga një mandat në Kuvendin e Kosovës, s’do të mund të kandidojnë në zgjedhjet e radhës që pritet të mbahen në fund të janarit ose në fillim të shkurtit.

Sipas interpretimit të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, avokatit Besnik Berisha dhe disa njohësve tjerë të çështjeve juridike se ata që në tri vitet e fundit janë dënuar me aktgjykim të formës së prerë s’kanë të drejtë të kanididojnë në zgjedhje, del se gjashtë zyrtarë që së fundmi e kishin fituar mandatin e deputetit, përfshirë edhe kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, s’do të mund të kandidojnë në zgjedhjet e radhës, raporton Gazeta Express.

Ndënëse u shpreh se nuk pajtohet me vendimin, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, pak pas shpalljes së aktgjykimit të hënën, tha se me këtë vendim i ndalohet të kandidojë për deputet çdokujt që është i dënuar në tri vitet e fundit.

“Në aspektin profesional, vendimi është shumë i çuditshëm. Ky vendim i ndalon çdokujt kandidimin nëse ka qenë i dënuar në tre vitet e fundit”, ka thënë ai në RTV Dukagjini. “Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendim dënues. Këtë mund ta bëjë vetëm Gjykata Penale”, ka thënë Hasani.

Po kështu u shpreh edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

“Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli e shumë tjerë të dënuar për vepra penale edhe me kusht nuk do të mund të kandidojnë në zgjedhjet që do mbahen në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm”, ka shkruar Miftaraj në Facebook. “Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e ka një hile të madhe”.

Njësoj e interpreton aktgjykimin e Kushtetueses edhe avokati Besnik Berisha, i cili në këtë çështje e kishte përfaqësuar Qeverinë.

“As Albin Kurti as asnjë qytetar i Republikës së Kosovës i cili është i dënuar me vendim të formës së prerë në tri vitet e fundit nuk ka të drejtë të jetë kandidat për deputet”, ka thënë Berisha të mërkurën në “DPT te Fidani” në T7.

Duke gjykuar mbi këtë interpretim, ish-kryeministri Albin Kurti, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetët Donika Kadaj-Bujupi, Endrit Shala, Rasim Demiri e Ivan Todosijeviq, nuk mund të kandidojnë në zgjedhjet e radhës.

Përveç Rasim Demirit dhe Ivan Todosijeviqit, të cilët u dënuan mas zgjedhjeve të fundit, sipas këtij interpretimi, të tjerët s’do të duhej të fitonin mandat të deputetit as në zgjedhjet e fundit, sepse KQZ-ja paraprakisht s’do të duhej t’i lejonte të kandidonin, duke mos i certifikuar.

I painterpretuar, konstatimi i dytë në aktgjykim thotë: “Në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovë”.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express lidhur me këtë çështje, ndërsa zëdhënësi Valmir Elezi sot ka thënë se pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja, do të veprojnë konform obligimeve.

“Aktualisht jemi në pritje të publikimit të Aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për të parë të gjitha obligimet që dalin për KQZ-në dhe do të veprojmë në përputhje me to”, tha Elezi.

Si u dënuan?

Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi, u dënuan në janar të vitit 2018 për dy vepra penale: përdorimi të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Me këto vepra përshkruheshin veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit ua kishte vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë atëherë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli.

Endrit Shala nga Nisma, më 1 mars të vitit 2019, atëherë si ministër i Tregtisë dhe Industrisë u dënua me gjobë prej 2400 eurosh, pasi bashkë me atëherë zëvendëskryeministrinin e Kosovës, Dardan Gashi dhe ish-kryetarin r Skënderajt, Sami Lushtaku dhe të tjerë kishin gjuajtur me armë në odën e atëherë zëvendëskryeministrit Fatmir Limajt në Malishevë.

Katër muaj më pas, Gjykata e Apelit ua ka vërtetuar atyre dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë.

Ivan Todosijeviq nga Lista Serbe, në dhjetor të vitit 2019 ishte dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Ai ishte gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë në vitin 2018 si ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ku e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Rasim Demiri nga koalicioni Vakat, deputet i Grupit Parlamentar të AAK-së gjatë kësaj legjislature, në qershor të këtij viti u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren për përdorim të armës.

Me pëlqim të Demirit, dënimi me burgim ishte zëvendësuar me dënimin më gjobë prej 900 eurosh.

Interpretimi tjetër

Me t’u ngritur dilema se a kanë të drejtë apo jo të kandidojnë për deputet të dënuarit e tre viteve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë qëndrimin e saj.

“Me informacionet aktuale që kemi, do të mund t’u thoja qytetarëve se Albini do të mund të kandidojë”, ka thënë anëtari i Kryesisë së LVV-së, Xhelal Sveçla të martën në emisionin “DPT te Fidani” në T7.

Për këtë, ai tha se e ka marrë sigurinë nga ekipi juridik i LVV-së.

“Këtë po e them në bazë të analizës që kanë bërë ekipet tona në Lëvizjen Vetevendosje. Unë nuk jam jurist, por ekipet tona që janë me të vërtetë të mrekullueshme në këtë fushë. E kanë bërë analizën e duhur dhe tashmë mund të deklarojmë të qetë se në bazë të rregullativës aktuale, Albin Kurti dhe të tjerët që citohen aty nuk mund të ndalen nga konkurrimi dhe fitimi i mandatit”, ka thënë ai. “Dënimi i Albinit dhe të tjerëve është bërë i plotfuqishëm në shtatorin e vitit 2018. Në atë kohë ka qenë në fuqi Kodi Penal i miratuar në Kuvendin e Kosovës i vitit 2012”, ka shtuar Sveçla.

Sipas Sveçlës, Kodi Penal i vitit 2012 thotë se “Pasojat juridike nuk kryhen kur kryrësit i shqiptohet gjoba, dënimi me kusht apo vërejtja gjyqësore ose kur kryrësi lirohet nga dënimi”.

Avokati Arianit Koci, është po ashtu i mendimit se Albin Kurti dhe të tjerët mund të kandidojnë në zgjedhjet e radhës, duke përmendur edhe shtatë arsye për këtë.

“Zbatohet ligji më i favorshëm për z.Kurti – Kodi Penal, Nr. 04/L – 082, i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale (2015), dhe i cili thotë se pasojat juridike NUK parashihen kur kryesit i shqiptohet dënimi me kusht”, ka shkruar Koci ndër tjerash në Facebook.

Çështja u ngrit për shqyrtim në Gjykatën Kushteuese nga një grup deputetësh nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila sfidoi legjitimitetin e mandatit të Etem Arifit, deputet nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim. Arifi u dënua përfundimisht për mashtrim me 15 muaj burg në gusht të vitit të kaluar, për t’u zgjedhur si deputet një muaj e gjysmë më vonë.

Gjykata e shpalli të paligjshëm mandatin e Arifit dhe kësisoj, e vlerësoi si kundërkushtetuese formimin e Qeverisë, për zgjedhjen e së cilës vota e Arifit ishte determinuese.

Të martën dhe të mërkurën, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani u konsultua në Presidencë me përfaqësuesit e kampeve politike për të rënë dakord për datën më të favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Kryeministri Hoti, ndërkaq, tha se e respekton vendimin e Gjykatës, thjesht duke kërkuar të mos shpërnahet Kuvendi para se të miratohet ligji i buxhetit të vitit të ri.

Most Popular