E premte, 25 Qershor, 2021

Vjosa Osmani shpërblen stafin e Presidencës me shtesë prej 700 eurove (DOKUMENT)

Vjosa Osmani ende nuk i ka bërë dy muaj në pozitën e Ushtrueses së Detyrës së Presidentit, por pavarësisht këtij fakti, ajo ka vendosur që nëpunëseve civilë në Presidencë t’ua japë nga 701 euro e 75 centë më shumë për këtë vit, shkruan Gazeta Express.

Një vendim të tillë Osmani e ka marrë me arsyetimin se, gjatë kohës së pandemisë, stafit civil të presidencës i është dashur të punojnë edhe me orar të zgjatur.

“Nëpunësve civil të Zyrës së Presidentit u njihet e drejta e përcaktuar në paragrafin 1 të këtij vendimit, duke pasur parasysh faktin që Zyra e Presidentit funksionon me staf të pamjaftueshëm në raport me strukturën organizative dhe si rrjedhojë, në mbështetje të aktivitetit zyrtar të presidentit të Republikës së Kosovës, ka pasur mbingarkesë në punë dhe angazhim të shtuar jashtë orarit të punës, duke pasur parasysh edhe punën gjatë pandemisë COVID-19, gjatë vitit 2020”, thuhet në pikën dy të këtij dokumenti të siguruar nga Gazeta Express.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nga ky vendim i Ushtrueses së Detyrës së presidentit kanë përfituar mbi 40 persona, që do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit plotë 30 mijë e 877 euro.

Zëvendësministri  i Financave, Agim Krasniqi, nga radhët e LDK’së, ka thënë se mjete financiare shtesë po ndahen pavarësisht faktit se presidenca i ka pagat e larta, teksa ka kritikuar ndarjen e shtesave edhe për administratën e Kuvendit.

“Lulëzim ekonomik për Kuvend e për Presidence të Republikës së Kosovës. Nuk po dije asgjë, unë nuk paskam kuptu e dëgju se në Kosove tani kemi rritje dhe lulëzim ekonomik. Nuk po e kuptoj si dikush ka humbur vendet e punës, si dikush nuk ka marr page fare këtë vit. Dy institucionet kryesore ne vend, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Presidenca e Kosovës këtë e paskan kuptuar sepse tani për festa te fund vitit po ndajnë krahas pagave te tyre te “ulta” edhe nga një shtese rreth 500-600 euro. A mund te pritet qe dhe stafit tjetër publik, sektorit privat dhe qytetareve qe kane paga te “larta” do t’i ndajnë nga 1000 euro ?”, kishte shkruar Krasniqi më 22 dhjetor, ditën kur edhe Osmani ka nënshkruar vendimin për shtesën që do ta marrin stafi në Presidencë.

Para shtesë janë ndarë edhe për Administratën e Kuvendit. Lidhur me këtë çështje në Kuvend ka folur edhe deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, i cili ka thënë Osmanit se po e merr ‘rrogën e 13-të”.

Artan Murati, nga stafi i Vjosa Osmanit, i është kundërpërgjigjur Haxhiut, duke thënë se një vendim i tillë për ndarjen e mjeteve finanaciare për stafin e Kuvendit është miratuar nga Kryesia e Kuvendit dhe se vetë Vjosa Osmani nuk e ka votuar.

“Bekim Haxhiu po flet te pavërteta ne foltore te Kuvendit. Nuk ka page te 13. Administrata e Kuvendit ka parashtruar kërkesë për një shtese ne pagën baze, duke u thirrur ne orët e tej zgjatura te punës. Pra, kërkesa për shtese nga Administrata është deponuar për punonjësit e administratës, jo për deputetet. Një rikujtim për z. Haxhiu (dhe te tjeret): Kuvendi tash e 10 vite e ndanë një shtesë te tille. Te paktën ne katër legjislaturat e kaluara, Kuvendi është udhëhequr nga bashkepartiak te z.Haxhiu. Interesant, kjo pune nuk eshte diskutuar nga askush.Per me tepër, Kryetarja e Kuvendit NUK E KA VOTUAR nje propozim te tille. Ai vendim është marre nga Kryesia e Kuvendit, me shumice votash. E ky Kuvend,  sivjet i ka kthyer Qeverise mbi 1.5 milion euro, nga kursimet. Fushatën politike bëjeni jashtë foltores se Kuvendit”, ka thënë Murati.

Edhe vetë Vjosa Osmani ka kundërshtuar pohimet e deputetit Haxhiu.