Saturday, October 16, 2021

Interi nuk më lejoi ta shijoj futbollin, thotë Nainggolan

Radja Nainggolan është ankuar se Interi nuk i dha mundësi të mjaftueshëm për ta treguar veten dhe se në këtë mënyrë e privoi nga shijimi i futbollit.

Mesfushori belg i kreu mjekësore në Romë të mërkurën dhe më pas me një fluturim privat mbërriti në Sardenjë në orët e mbrëmjes, për të nënshkruar me Cagliarin, transmeton Gazeta Express.

Ai do të veshë për herë të tretë fanellën e Cagliarit, derisa këtë herë rikthehet pas vetëm gjashtë muajsh në Interin, ku nuk luajti pothuajse fare, sepse i mungoi besimi i trajnerit Antonio Conte.

“Dua të bëj mirë në fushë dhe jo të flas për veten e arsyet pse nuk kam luajtur, Unë jam vënë gjithmonë në dispozicion, por mundësia nuk më ka ardhur. Tani dua vetëm të luaj dhe të shijoj kënaqësinë që më është hequr gjatë këtyre muajve në Milano”, u shpreh Nainggolan.

“Me Di Francescon flas shpesh, pasi njihemi bashkë që te Roma. Më ka kërkuar me ngulm edhe në vjeshtë, por gjithçka u bë e mundur vetëm tani. Shoh një skuadër shumë të fortë dhe konkurruese, por që i ka munguar pak vazhdimësia. Shpresoj të vë në dispozicion edhe eksperiencën time për ta ndihmuar”, tha mesfushori.