Thursday, September 23, 2021

100 euro për çdo fëmijë të porsalindur në Skenderaj

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë të ditur se komuna që ai drejton do të mbështesë secilin çift Skenderajt me fëmijë të porsalindur. Jashari ka njoftuar se për çdo fëmijë të porsalindur, si subvencion simbolik për prindërit do të ndahen nga 100 euro, shkruan rajoni.net.

“Për secilin fëmijë të lindur nga 1 janari i vitit 2021 dhe të regjistruar si banor të komunës sonë, do të ndajmë nga 100 euro, si subvencion simbolik për prindërit”, shkruan Bekim Jashari.

Ai ka thënë që aplikimi për të marrë këtë subvencion do të nis shumë shpejtë dhe për procedurat do të njoftoheni me kohë.

Postimi i plotë i Bekim Jasharit në Facebook

Të dashur qytetarë, Vitin 2021 po e nisim me një lajm të mrekullueshëm për qytetarët e komunës sonë.

Për secilin fëmijë të lindur nga 1 janari i vitit 2021 dhe të regjistruar si banor të komunës sonë, do të ndajmë nga 100 euro, si subvencion simbolik për prindërit. Aplikimi për të marrë këtë subvencion do të nis shumë shpejtë dhe për procedurat do të njoftoheni me kohë.

Jam i vetëdijshëm që përkrahja për familjen dhe fëmijën duhet të jetë shumë më e madhe por që buxheti i limituar i komunës nuk mundëson aktualisht përkrahje më të madhe kurse vitet në vijim do të rrisim vlerën e këtij subvencioni.

Krahas kësaj shteti ynë duhet të fillojë sa më shpejtë dhënien e shtesave për fëmijët, në menyrë që të ndikojmë kështu në rritjen e natalitetit në shtetin tonë.

Uroj që të kemi sa më shumë lindje e sa më pak vdekje!