Home Qendrore Skenderaj/Vendimi që bëri të gjithë bashkë!

Skenderaj/Vendimi që bëri të gjithë bashkë!

Secili çift bashkëshortor që behën prindër gjatë vitit 2021, do të shpërblehet nga Komuna e Skenderajt  me nga 100 euro.

Ky është vendimi më i ri që kryetari Bekim Jashari ka marrë për vitin e ri, me qëllim që të stimulohet lindshmëria në këtë komunë, shkruan Rajoni.

Në një postim në llogarinë e tij në facebook, kryetari Jashari ka thënë se përkrahja për familjen dhe fëmijën, duhet të jetë më e madhe, por që buxheti i limituar komunal nuk mundëson një gjë të tillë, ndërkohë që ka premtuar vlerë më të madhe të subvencionimit për shtim të natalitetit, viteve në vijim.

“Jam i vetëdijshëm që përkrahja për familjen dhe fëmijën duhet të jetë shumë më e madhe por që buxheti i limituar i komunës nuk mundëson aktualisht përkrahje më të madhe kurse vitet në vijim do të rrisim vlerën e këtij subvencioni.

Krahas kësaj shteti ynë duhet të fillojë sa më shpejtë dhënien e shtesave për fëmijët, në mënyrë që të ndikojmë kështu në rritjen e natalitetit në shtetin tonë”, ka shkruar ai, me urimin që të ketë më shumë lindje e më pak vdekje.

Këtë vendim e kanë vlerësuar si të mirë përfaqësuesit e partive politike të Kuvendit Komunal.

Albert Rexhepi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se, çdo ndihmë financiare është e nevojshme në këtë gjendje në të cilën ndodhemi.

“Duke parë gjendjen ekonomike në komunën tonë, e sidomos në këtë periudhë pandemie, çdo ndihmë financiare është e nevojshme. Nëse shihet si mjet stimulimi për natalitet, mendoj  që 100 euro janë shumë simbolike. Pra, 100 euro nuk janë që ndikojnë  në rritje të natalitetit, Sot në Kosovë trajtimet shëndetësore janë shumë më të kushtueshme për standardin tonë, andaj edhe kjo ndihmë për ata që veç kanë vendosur të bëhen prindër, është lehtësim”, shprehet Rexhepi.

Kurse Hysni Mehani nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se është subjekti i tij, përkatësisht bashkëpartiakja Vjollca Ramadani, ajo që kishte propozuar e para një ndihmëse të tillë.

“Kjo është kërkesa që asamblistja Vjollca Ramadani ia ka dorëzuar kryetarit dhe kryesueses në lidhje me këtë çështje. Kjo kërkesë është e muajit mars, dhe kjo hynë në kuadër të iniciativës që kanë marrë asamblistët e Lëvizjes nëpër komuna. Pra, jo vetëm Vjollca në Skenderaj, por edhe asamblistët tjerë të Lëvizjes nëpër komuna e kanë bërë këtë gjë. Na vjen mirë që propozimi i Vjollcës ka gjetur mbështetje këtu. Por na vjen shumë keq që kryetari mundohet t paraqes si ide të tijën. Po të mos ishte Vjollca sigurisht që idetë e njerëzve të kryetarit nuk shkojnë përtej Ludo’s e Fjolla Morinës”, ka thënë Mehani, i cili e ka argumentuar konstatimin me kërkesën që i është drejtuar kryetarit Jashari dhe kryesueses së Kuvendit Komunal, e që mban datën e muajit mars të vitit të kaluar.

Kërkesa e VV-së drejtuar kryetarit të Komunës dhe Kryesueses së Kuvendit

Edhe Pajazit Isufi, nga Aleanca Kosova e Re, e ka vlerësuar të mirëpritur vendimin për ndarjen e 100 eurove për çdo lindje, por thotë se është i vonë.

Si vendim, edhe pse i vonë, është i qëlluar dhe i mirëpritur. Është një model i komunave tjera të Kosovës, por gjithsesi i mirë.

Isa Fejzullahu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka vlerësuar pozitiv për komunën këtë vendim.

“Krahas vendimit për mbulim të shpenzimeve të varrimit, pastaj vendimit për mbulimin e shpenzimve për nxënësit udhëtarë që shkollën e kanë më larg se 4 km, mendoj se ky është një vendim tjetër në vazhdën e vendimeve tjera që prekin drejtpërdrejt qytetarët, dhe si të tilla, i përkrahi”, ka thënë Fejzullahu.

Berat Dajaku nga Partia Fjala, ka thënë se vendimi është i mirë, por që ai do të duhej të kalonte nëpërmjet Asamblesë Komunale.

“Me pëlqeu vendimi, por çdo vendim që ka që bëjë me mjete financiare paraprakisht duhet të vjen në Kuvend si propozim, të ipet arsyeshmëria, dhe të tregohet se nga do të sigurohen mjetet. Vendimi është i mirë, nëse ka mjete financiare, thotë Dajaku.

“Sa i përket vendimit, me pëlqeu, por ai duhet të vjen në Kuvend, të arsyetohet dhe të tregohet se nga do të sigurohen mjetet. Vendimi është i mirë nëse ka mjete për t’u realizuar”, është shprehur ai.

Edhe Qazim Xani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se vendimi është i mirë se ardhur, por vlera nuk është e mjaftueshme.

“Vendimi i kryetarit është i mirë, por nuk është vlerë e mjaftueshme, mirëpo duke e parë mundësinë e Komunës, buxhetin që ka, prapëseprapë është vendim i mirë.

“Ky vendim sado pak ju del në ndihmë atyre që kanë nevojë”, shprehet Xani.

Rajoni ka provuar të marrë një mendim edhe nga asamblisti Beqir Veliu nga NISMA, por ky i fundit nuk ka qenë i qasshëm në telefon. Rajoni.net

Most Popular