E premte, 25 Qershor, 2021

Muriqi do të jetë i rëndësishëm për Lazion në të ardhmen

Trajneri i Lazios, Simone Inzaghi, e ka përkrahur Vedat Muriqin duke thënë se kosovari do të jetë lojtar i rëndësishëm për klubin në të ardhmen, por fillimisht ka nevojë ta ndiejë besimin dhe durimin e të gjithëve në klub.  

Përfaqësuesi i Kombëtares së Kosovës, Muriqi iu bashkua Lazios në verën e kaluar nga Fenerbahçe për rreth 18 milionë euro, por ka hasur në vështirësi të përshtatet në skuadrën e Inzaghit që prej atëherë dhe ende është në kërkim të golit të parë.

Ai ka qenë i pafat prej se mbërriti në Stadiumin Olimpik, sepse u detyrua të presë për të debutuar për Lazion, së pari sepse u prek nga pandemia e koronavirusit, e pastaj nga dy lëndime, si pasojë e të cilave ai e zhvilloi ndeshjen e parë vetëm në mes të tetorit.

Që prej atëherë, i ka bërë 10 paraqitje për Lazion, tri si titullar dhe shtatë si zëvendësues, në të gjitha garat dhe është ende në kërkim të golit të parë në fanellën e kaltër.

Prizrenasi 26-vjeçar është kritikuar për lojë të dobët dhe për mungesën e golave, saqë pati edhe thashetheme se Lazio do ta kthente mbrapsht në Fenerbahce,lajm i cilin më vonë u mohua nga drejtori sportiv Igli Tare për Gazetën Express.

Duke folur para ndeshjes së Lazios kundër Genoas në udhëtim të dielën (sot), Simone e shprehu besimin e tij në kosovarin, nga i cili pret të shpërthejë së shpejti.

“Ne kemi kaluar nëpër situata të tilla tashmë me lojtarë të tjerë. Kështu ka qenë edhe viti i parë i Caicedos, Luis Albertos dhe Sergej Milinkovic-Savic. Ata janë lojtarë të rinj që vijnë nga kultura dhe kombe të tjera. Duket pasur durim me lojtarët e rinj”, tha trajneri i Lazios.

Simone shtoi: “Muriqi do të jetë lojtar i rëndësishëm në të ardhmen dhe do të na ndihmojë shumë. Ai ka nevojë ta ndiejë besimin e secilit. Pres më shumë, por jam i bindur se me kohë do të vijnë edhe rezultatet e dëshiruara për ne”.

Muriqi është favorit para Filipe Caicedos për ta nisur ndeshjen nga fillimi përkrah Ciro Immobiles sot kundër Genoas.

Genoa dhe Lazio takohen në Luigi Ferraris, në një ndeshje të javës së 15-të në Serie A, që nis në orën 15:00.