E premte, 25 Qershor, 2021

Kushtetuesja ndihet në ‘siklet’, vonon publikimin e aktgjykimit

As pas dy javësh Gjykata Kushtetuese nuk e ka publikuar aktgjykimin e plotë për pavlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi. Për pasojë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, nuk e ka shpallur ende datën e zgjedhjeve. Në zyrën e Osmanit kanë thënë të hënën se nuk e kanë asnjë indikacion kohor kur do t’iu dorëzohet palëve aktgjykimi i plotë.

“Momentin që aktgjykimi të dorëzohet tek palët dhe palët ta pranojnë këtë aktgjykim, ushtruesja e detyrës së presidentes menjëherë do të veprojë ose do të ndërmarrë hapat konkretë drejt shpalljes së zgjedhjeve”, ka thënë Artan Murati, këshilltar i u.d. presidentes.

“Siç e dini, veç janë mbajtur takimet e para konsultative me subjektet politike dhe veprimet do të jenë të menjëhershme në momentin kur aktgjykimi do të dorëzohet tek palët. Por deri në këtë moment nuk është se kemi ndonjë informacion për kohën kur Gjykata Kushtetuese do ta ndërmarrë një veprim, pra dorëzimin e aktgjykimit tek palët e përfshira në rast”.

Më 21 dhjetor Kushtetuesja lëshoi një komunikatë për vendimin, sipas të cilit zgjedhja e Qeverisë Hoti nuk ishte në pajtueshmëri me Kushtetutën, ngase për të kishte votuar edhe një deputet që ka pasur dënim me vendim të plotfuqishëm.

“Sikleti” i Kushtetueses

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, vonesat i ka ndërlidhur me, siç ka thënë ai, sikletin e Kushtetueses për ta arsyetuar pasojën juridike me dënimin plotësues. Sipas tij, do të ishte shkelje riformulimi i pikës që ua ndalon garën për deputetë të dënuarve në tre vjetët e fundit, pa marrë parasysh dënimin që u është shqiptuar.

“Komunikata për shtyp, siç e kemi parë edhe herën e kaluar, nxirret si një balon provues për të shikuar se çfarë po thotë komunitetit juridik e më pastaj të ndryshohet. Mendoj se pjesa tjetër e përfundimeve mund të rikualifikohet, por profesionalisht nuk do duhej që të ndryshonte pjesa operative. Kjo është çështja thelbësore. Nuk shoh jurist që me terma profesionale ta arsyetojë një kualifikim të përgjithshëm që ia ndalon çdokujt garën në të ardhmen nëse ka një dënim për fajësi penale”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë fuqi Ligjit për zgjedhje duke ia humbur relevancën nenit 45 të Kushtetutës, që flet për të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

“Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor”, thotë neni i Kushtetutës. “E kanë ngatërruar pasojën juridike me vendimin për dënim plotësues që janë dy gjëra tërësisht të ndryshme dhe i kanë shkrirë me një vend. Ligjin për zgjedhje e kanë futur në dispozitiv dhe i kanë dhënë fuqi kushtetuese. Garancia kushtetuese është rrënuar dhe po mundohen ta ndërtojnë një standard tjetër që mund ta bëjnë vetëm ligjvënësit e jo Gjykata Kushtetuese”, ka theksuar Hasani.

Ai shton se në shumë vende pasojat juridike nuk mund t’i përcaktojë Gjykata Kushtetuese, por ligjet.

“Jo vetëm një ligj, por shumë ligje sektoriale ta zëmë, nëse bëhet plagjiat i një vepre, dënohesh një muaj apo dy, dhe pasoja juridike është se të merret titulli në universitet, pa marrë parasysh si ka vendosur gjykata. Këto dy gjëra janë ngatërruar keq dhe unë e kam problem ta shoh se si do ta arsyetojnë pjesën që ia ndalon çdokujt që ka një verdikt të plotfuqishëm”, ka potencuar Hasani.

Por, sipas vendimit të Kushtetueses, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në asnjë dispozitë nuk kërkon që personave të dënuar me vepra penale t’u hiqet e drejta me vendim plotësues. Mjafton një vendim përfundimtar i gjykatës në tre vjetët e fundit për t’ua pamundësuar hyrjen në lista për deputetë.

“Megjithatë, Gjykata konsideron se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk kërkon që personave të dënuar për vepra penale t’iu shqiptohet medoemos si dënim plotësues ‘heqja e së drejtës për t’u zgjedhur’, në mënyrë që ata të mos lejohen të kandidojnë në zgjedhje parlamentare”, thuhet në njoftim e Kushtetueses.

Pasojat e aktgjykimit

Përveç Arifit, me vendime të plotfuqishme gjyqësore në tre vjetët e fundit janë dënuar edhe tre ish-deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë liderin e saj, Albin Kurti. Më 18 shtator të vitit 2018, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit. Në Vetëvendosje kanë thënë, pas publikimit të aktgjykimit, se Kurtit dhe të tjerëve nuk iu pamundësohet gara, sepse janë dënuar vetëm me kusht.

Paqartësitë rreth pikës që flet për dënimet e plotfuqishme janë shpërfaqur gjatë shqyrtimit të çështjes nga Kushtetuesja dhe në përgjigjet që kanë dhënë trupat përkatëse të Kuvendit dhe Komisioni Qendror Zgjedhor. Për këtë arsye, Gjykata ka potencuar nevojën që Kuvendi i Republikës së Kosovës me komisionet e tij, në bashkëveprim me institucionet gjegjëse, duke përfshirë edhe KGJK-në dhe KQZ-në “të qartësojnë dhe konsolidojnë bashkëpunimin ndërinstitucional që ka të bëjnë me kandidimin në zgjedhje parlamentare dhe ushtrimin e mandatit të deputetit, nga ana e personave të dënuar për vepra penale”.

E vonesat eventuale prej momentit të shpalljes së zgjedhjeve deri në certifikimin e tyre mund të prodhojnë një krizë tjetër institucionale. Pas tre muajsh vendi mbetet edhe pa ushtrues detyre të presidentit – që është organi legjitimues i institucioneve të cilat dalin pas zgjedhjeve të reja.

Pas zgjedhjeve, së pari duhet të konstituohet legjislatura e re e Kuvendit me të gjitha organet e saj. Nëse ushtruesja e detyrës ka ende mandat, atë e merr kryetari i ri, në mënyrë që të mandatohet pastaj qeveria e re. Por, sipas Hasanit, më mirë do të ishte sikur menjëherë të procedohej nga Kuvendi i konstituuar me zgjedhjen e presidentit të ri, i cili do të merrte fuqi të plotë për ta mandatuar Qeverinë. /Koha.net/