Home Lajme Beteja për listat mes kandidatëve me xhepin plot dhe intelektualëve të harruar

Beteja për listat mes kandidatëve me xhepin plot dhe intelektualëve të harruar

Tani kur të gjithë po presim datën e zgjedhjeve nacionale në Kosovë, partitë politike janë duke punuar për të zgjedhur se kë ta fusin në listën zgjedhore për deputetë. Rrethanat e krijuara politike në vend, do të duhet të iu imponojnë subjekteve që të dalin me emra të rinj dhe premtues, vlerësojnë analistët.

Bazuar në përformancën e kësaj legjislature, më jetëshkurtër në historinë e vendit, del se më shumë ka pasur debate e përplasje për inate politike, se sa që kanë votuar ligje për lehtësimin e jetës së qytetarëve.

Njohësit e politikës, thonë se është koha që në Kuvend të mos vijnë deputetë vetëm pse kanë para për të shpenzuar gjatë fushatës, ose janë familjarë të ndonjë nga komandantët.

Shemsi Jashari, në një bisedë me Syri.net Kosova, thotë se para se të vendoset lista përfundimtare, secila parti duhet të kuptojë mesazhin e qytetarëve që po kërkojnë ndryshim.

“Partitë politike para se të vendosin për kandidatë për deputetë, duhet të lexojnë mirë mesazhin që qytetarët ua kanë dhënë, duke ndryshuar preferencat politike me 6 tetor dhe tani se fundi në zgjedhjet lokale në Podujevë. Përformanca e dobët e kësaj legjislature, papërgjegjësia ndaj besimit që kanë marrë nga qytetarët,mungesa në seanca të kuvendit, janë parë dhe besoj ngulitur në mendjen e secilit qytetarë dhe për ata që kanë qenë të papërgjegjshëm nuk duhet të ketë votë në zgjedhjet që po vijnë”.


Jashari shton se nuk duhet të hyjnë në lista zgjedhore individë që kanë më shumë para për fushatë, por, ata që kanë përvojë profesionale e akademike

“Drejtuesit e partive politike duhet të jenë shumë të kujdesshëm kur vendosin të fusin në lista të kandidatëve për deputetë, individët e caktuar. Nuk do të duhej të futeshin në lista të deputetëve, individ vetëm se kanë para për të shpenzuar gjatë fushatës zgjedhore, por, njerëz që kanë përgatitje dhe përvojë profesionale, përvojë e cila do të shërbente për kontribut në Kuvend.”


Ndër të tjera, Jashari i tha Syrit se beson në rolin më të rëndësishëm në rezultatin final, se kush do të votojë, do të jenë pikërisht emrat e deputetëve që garojnë nga subjektet politike.

“Unë besoj shumë që përveç frymës që parti të caktuara kanë në favor të vetin, një rol të madh dhe vendimtar në suksesin e tyre në zgjedhje do ta ketë përbërja e emrave për deputetë, me të cilët garojnë subjektet politike. Kandidatët për deputetë duhet të kenë përgatitje akademike dhe profesionale, moral të lartë, pastërti para ligji dhe mbi të gjitha të jenë të dëshmuar se e duan këtë vend” – përfundon Jashari.
Ndërsa, njohësi tjetër i rrethanave politike në vend, Dren Dushi, duke folur për Syri.net tha se kapja e shumicës së partive politike në vend nga një grup i caktuar, po e bënë të pamundur rifreskimin e listës me emra për deputetë

“Kapja e shumicës së partive politike në Kosovë nga një grup njerëzish me mendësi politike totalitare, bazë e të cilës është ideologjia komuniste titiste apo enveriste në format e saj “neo”, ka bërë që rifreskimi i listave për deputetë të jetë i pamundur. Askush që ka një dinjitet intelektual e moral, nuk do t’i bashkohej një partie politike ku ende funksionojnë këto mendësi”.
Dushi thekson se është tejet e rëndësishme të përmbyset kjo mendësi e të vijnë kuadro të rinj.

“Është shumë me rëndësi që partitë të “përmbysen”, në kuptimin që të përmbyset mendësia në fjalë, të vijnë kuadro të reja, njerëz të shkolluar dhe jo uzurpatorë e komplotistë mashtrues. Problemet e cekura janë arsyeja e një legjislature, në përgjithësi të dobët që kemi aktualisht, por edhe e shumë problemeve tjera që po na përcjellin dy dekada pas çlirimit” – përfundoi Dushi.


Sipas KDI-së, legjislatura e VII-të e Kuvendit të Kosovës përmbylli vitin 2020 me vetëm 17 ligje të miratuara, në mbi 70 seanca të mbajtura, përfshirë këtu edhe vazhdimet e seancave.

Raporti i  punës së Kuvendit, është karakterizuar me mungesë të theksuar të kuorumit për vendimmarrje në pothuajse në secilën seancë.

Të dhënat statistikore për performancën e Kuvendit përgjatë këtij viti, tregojnë se legjislativi miratoi vetëm 17 projektligje nga 48 sa ishin në procedurë për shqyrtim./Syri

Most Popular