Monday, September 20, 2021

Fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme nga 3 – 12 shkurt

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të enjten ka vendosur që fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, do të nisë nga data 3 deri më 12 shkurt.

Ndërsa, certifikimi i partive politike fillon nga data 8 janar dhe përfundon më 21 janar. Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim do të mbahet më 1 shkurt 2021.

Në mbledhjen e KQZ-së, është vendosur që votimi me postë fillon me 2 shkurt dhe përfundon 24 ore para zgjedhjeve. Ndërsa regjistrimi i listës së kandidatëve me deputetë  përfundon më 16 janar.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se janë të obliguar nga dita e sotme të fillojnë përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve.“Shpresojmë që pas këtyre zgjedhjeve do të kemi reformë zgjedhore dhe do të adresohen të gjitha çështjet. Ky është plani operacional dhe këto afate do të jenë të qasshme në faqen e KQZ-së posa të aprovohen në këtë mbledhje”, ka thënë ajo. / Rajoni.net