Wednesday, October 20, 2021

Skenderaj/Covid-19, ja personat që do të marrin të parët vaksinën

Tani që është bërë e ditur se Kosova ka siguruar 500 mijë doza të vaksinës kundër Covid-19, nga kompania Pfizer, e të cilat pritet të mbërrijnë pas pak javësh, institucionet relevante shëndetësore kanë bërë gati planin e shpërndarjes në kudër të fushatës së vaksinimit për imunizim të popullatës, shkruan Rajoni.

Në Skenderaj, ndërkaq, të parët që pritet të vaksinohen janë punëtorët shëndetësor, të gjithë personat mbi 65 vjeç, si dhe të gjithë të sëmurët kronikë.

Kështu ka bërë të ditur dr.Osman Veliu, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familajre në Skenderaj, i pyetur nga Rajoni, rreth planeve për shpërndarjen e vaksinës dhe marrjes së saj.

Sipas Osmanit, deri tani janë duke ndjekur instruksionet e Ministrisë së Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), që është duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për planifikimin dhe sigurimin e vaksinës anti-COVID.

“Fushata më e madhe e ndërmarrë ndonjëherë e vaksinimit është planifikuar të bëhet në tërë botën, e edhe në Kosovë përgjatë vitit 2021/22 kundër COVID-19. Qëllimi ynë është parandalimi me vaksinë anti COVID-19 i përhapjes së virusit dhe të zvogëlojmë pasojat e mundshme në shëndetin e popullatës me Covid-19. Në fazën e parë të vaksinimit planifikohet të vaksinohen këto grupe të rrezikut: Punëtorët shëndetësorë, të gjithë personat mbi 65 vjeç, të gjithë personat me rrezik të lartë – me sëmundje kronike”, është shprehur dr.Veliu. /Rajoni.net/