Tuesday, October 26, 2021

Lushtaku sfidon Jasharin: Do të kandidoj për kryetar të Skenderajt, kam aprovimin e Kadri Veselit

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka treguar në “Kallxo Pernime” se ai do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme lokale për kryetar të Skenderajt.

“Unë do të kandidoj për kryetar të Skenderajt dhe sigurisht që do ta kem përkrahjen e PDK-së. Kandidatura ime është përkrahur dhe nga kryetari Veseli, gjatë kohës sa ka qenë këtu”, tha Lushtaku përballë Jeta Xharrës.

“Partia ka vendosur që të jem kandidat për kryetar të Komunës. Ajo çka më ka shtyrë për të kandiduar janë edhe disa projekte që i kam filluar dhe kanë mbetur aty. Është ndërtimi i kompleksit të UÇK-së dhe është penda e qytetit që është jetike për komunën tonë”, tha në mes tjerash Lushtaku.

Tutje ai ka konfirmuar se nuk ka ambicie të jetë në listën e kandidatëve për deputet në këto zgjedhje.

Po ashtu Lushtaku është shprehur se nuk ka ambicie as për të qenë kryetar i PDK-së.