E premte, 25 Qershor, 2021

Si e punësoi nipin konsull në Shqipëri, Flet Sami Lushtaku

Ish-kryetari i Skenderajt dhe njëri nga njerëzit më të fuqishëm të PDK-së, Sami Lushtaku, ka folur për emërimin e nipit të tij konsull në Shqipëri gjatë vitit 2019.

Festim Lushtaku ishte emëruar konsull në Shqipëri gjatë kohës sa ministër i Punëve të Jashtme ishte Behgjet Pacolli.

Lushtaku ishte shkarkuar kur në krye të Ministrisë kishte ardhur Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sami Lushtaku në “Kallxo Pernime” ka rrëfyer se si ka ardhë deri te procesi i emërimi të nipit të tij, Festim Lushtaku, konsull në ambasadën e Kosovës në Shqipëri.

“Festimi ka lindur në Gjermani, është rritë dhe është shkolluar atje. Këtu nëpër portale i kanë thanë që nuk ka shkolla. Ai ka qenë duke punuar, ka qenë veç një transferim, sepse ky ka dashtë me u kthy në Kosovë dhe ka shku në Shqipëri. Por kur erdh Vetëvendosje e kanë larguar për shkak të disa procedurave që gjoja nuk janë respektuar”, tha Lushtaku në “Kallxo Pernime”.

Lushtaku e ka pranuar se ka drekuar me Behgjet Pacollin dhe e kanë diskutuar emërimin e nipit të tij.

“Pak ia kam ndihmu me u bo ky trasnfer. Behgjet Pacollin e kam thirrë edhe ia kam qitë një drekë. I kam thanë që ky djali është duke punuar, qysh janë mundësitë? Është e vërtetë që kam fol me Behgjetin për këtë çështje”, u shpreh ai.

“Unë familjen time nuk mundem me eleminu”, tha Lushtaku kur u pyet se si mundet të tjerët që nuk kanë afërsi me njerëz të pushtetshëm e që duan të avancojnë në karrierë.