Tuesday, October 26, 2021

Trajnerët e Bundesligës nën presion të madh

Pesë trajnerë tashmë kanë humbur vendet e tyre të punës në Bundesligë këtë sezon dhe tre të tjerë kanë nevojë më shumë se kurrë për një ndryshim të shpejtë të fatit për të mos u bashkuar me homologët e tyre të shkarkuar.

Bruno Labbadia i Hertha Berlinit, Markus Gisdol i Koelnit dhe Sebastian Hoenes i Hoffenheimit duhet të ndryshojnë gjërat së shpejti nëse duan të mbajnë vendin e tyre të punës. Vizita tjetër e Herthas është në Koeln të shtunën, përpara se ta presë Hoffenheimin në Berlin të martën e ardhshme. Ndërsa, Hoffenheimi më pas e pret skuadrën e Koelnit në fundjavën vijuese. Kjo javë dhe java tjetër mund të jetë përcaktuese për fatin e të tre trajnerëve.

Labbadia po ka vështirësi dhe Hertha e Berlinit ende nuk ka dhënë rezultatet e pritura pas investimeve të fundit prej 374 milionë eurosh nga mbështetësi Lars Windhorst. Sipërmarrësi gjerman ende nuk ka marrë ndonjë shenjë inkurajuese se paratë e tij janë shpenzuar mirë. Hertha në ndeshjen e fundit ishte mysafire e Arminia Bielefeldit, që nuk po luan mirë, dhe kërkonte fitoren e dytë rresht për herë të parë këtë sezon, pas triumfit 3:0 ndaj Schalkes. Mirëpo Hertha ofroi një paraqitje të dobët dhe ishte me fat që humbi vetëm 1:0 nga Arminia.

“Nuk ka justifikime, jo vetëm për ndeshjen e fundit, por edhe duelet E tjera të këtij sezoni. Është vështirë të shpjegohet kjo situatë te Hertha”, pranoi mbrojtësi i krahut të majtë, Maximilian Mittelstadt.

Hertha është vetëm pesë pikë mbi zonën e rënies nga Bundesliga pas 15 ndeshjeve të zhvilluara. Pra larg nga vendi ku kanë pritur të jenë zyrtarët dhe lojtarët e klubit. Labbadia u ankua pas ndeshjes në Bielefeld se nuk kishte parashikuar “kaq shumë mungesa në fushë”, që, sipas tij, sollën edhe humbjen.

Mirëpo, Hertha nuk ka lënë përshtypje që nga fillimi i Bundesligës, pavarësisht fitores 4:1 ndaj Werder Bremenit në udhëtim gjatë muajit shtator. Kjo fitore u pasua nga katër humbje rresht. Hertha ka fituar vetëm tri ndeshje nga atëherë dhe nuk ishte në gjendje asnjëherë të regjistronte dy fitore rresht.

Menaxheri i përgjithshëm i Herthas, Michael Preetz është gjithashtu nën presion pas vitesh zhgënjimi.

“Realisht jo vetëm unë, por të gjithë kemi pritur që të jemi në pjesën e epërme të tabelës pas investimeve. Rezultatet nuk janë të kënaqshme dhe shpresoj që së shpejti të marrim veten”, tha ai.

Hoffenheimi është një pikë prapa Herthas dhe po e paguan çmimin për një mori infeksionesh me koronavirus dhe dëmtime të lojtarëve. Trajneri Hoenes – nipi i të madhit të Bayern Munichut, Uli Hoenesit – është nën presion pas humbjes së fundit nga Schalke (4:0), ekip që nuk kishte fituar asnjë prej 30 ndeshjeve të mëparshme në Bundesligë. Pronari i Hoffenheimit, Dietmar Hopp, ka shprehur mbështetjen e tij për trajnerin Hoenes dhe tha se problemet e ekipit janë diku tjetër.

“Unë kam besim te njerëzit e përfshirë në klub për të përballuar situatën dhe ua kam thënë atyre këtë personalisht”, ka theksuar Hopp.

Sikurse Hoenes, edhe trajneri Gisdol e ka mbështetjen e shefit të tij te Koelni, Horst Heldt, por raportet e mediave lokale sugjerojnë se loja kundër Herthas mund të jetë vendimtare për trajnerin 51-vjeçar pas humbjes në fundjavën e kaluar 5:0 nga Freiburgu. Fitorja e Koelnit 2:1 ndaj Borussia Dortmundit në nëntor i dha fund serisë prej 18 ndeshjeve pa fitore. Mirëpo, Koelni ka vetëm një fitore – ndaj Mainzit – në gjashtë ndeshjet e fundit që prej asaj kohe.

“Fitorja me Dortmundin na dha shpresa të mëdha, por duket se po i bartim pasojat e saj. Shpresoj që në ndeshjen e ardhshme të kthehemi te fitorja pas një periudhe të gjatë”, tha trajneri Gisdol.

Lucien Favre i Dortmundit, David Wagner e Manuel Baum të Schalkes dhe Achim Beierlorzer e Jan-Moritz Lichte të Mainzit, tashmë janë shkarkuar në këtë sezon të Bundesligës. AP