Thursday, September 23, 2021

Letra e Vjosa Osmanit cilësohet ndërhyrje flagrante në punën e KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që verifikimin e personave që aplikojnë nga diaspora për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit ta bëjë edhe përmes thirrjeve telefonike. Një vendim të tillë po e kundërshtojnë Vetëvendosje, parti kjo e cila ka dërguar edhe ankesë në Komisionin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, që po drejton iniciativën politike “GUXO”.

Kjo e fundit në cilësinë e u.d të presidentit i ka drejtuar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku ka lutur për shqyrtimin e vendimit për verifikimin e personave nga diaspora që aplikojnë për të votuar.

Një veprim i tillë i Vjosa Osmani po cilësohet si ndërhyrje në punën e KQZ-së dhe një praktikë e gabuar. Kështu i ka thënë Gazetës Express, Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

“KQZ është institucion i pavarur dhe të gjitha paqartësitë me vendimet e saj do duhej të trajtohen përmes mekanizmave dhe procedurave të parapara për ankimim. Letra e  fundit nga UD të Presidentit është ndërhyrje në punën e KQZ –së dhe praktikë jo e mirë se si duhet të respektojmë integritetin e institucioneve të pavarura”, ka thënë Kryeziu për Express.

Kreu i KDI’së thotë se letra e Osmanit  si u.d. e presidentit që po merr pjesë edhe në procesin zgjedhor e zbeh rolin unifikues që duhet ta ketë presidenti.

“Për më tepër letra nga pozicioni i UD të Presidentit, e cila për dallim nga Presidenti i zgjedhur merr pjesë drejtpërdrejt në zgjedhje i zbeh vlerat e Presidentit për rolin unifikues dhe jo partiak, që duhet ta ketë Presidenti”, ka përfunduar Kryeziu.

Lidhur me këtë çështje Express ka kontaktuar edhe kreun e IKD-së, Ehat Miftarajn, i cili thotë se e drejta për ankesë është e garantuar, por që gjithmonë secili adresim, sipas tij, duhet të mos ndërhyjë në proces të vendimmarrjes dhe pavarësisë.

 “Vendimet e KQZ janë subjekt i ankimimit nga palët e interesuara. Mjeti juridik apo e drejta në ankesë ndaj vendimeve të KQZ është e garantuar, dhe në këtë drejtim Presidenti apo përfaqësues të partive politike mund të shprehin mendimet dhe opinionet e tyre lidhur me procese të caktuara, por që çdo adresim duhet të ruaj dhe respektoj procesin vendimmarrës dhe pavarësinë”, ka thënë Miftaraj.

Akuza drejt Osmanit për ndërhyrje flagrante në punën e KQZ-së mbrëmë kanë drejtuar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike në një debat me këshilltarin e Osmanit, Faton Pecin.

Florian Dushi i LDK’së mbrëmë në “Rubikon” ka thënë se letra e Vjosa Osmanit ka qenë ndërhyrje flagrante në punën e KQZ’së dhe sipas tij nuk ka nevojë që dikush të diktojë punën e institucionit që drejton Valdete Daka.

“Është ndërhyrje flagrante, tendenca me ia diktu punën KQZ-së cilido institucion tjetër. Nuk mundet dikush që të luaj rolin e eprorit të KQZ-së. Ndërhyrja e këtillë që ndodh për herë të parë. Një president i drejtohet KQZ-së që të kërkojë rishqyrtimin e një vendimi. Ne duhet t’i ruajmë organet tona. S’ka nevojë që dikush të diktojë se si duhet të bëjë punën një organ i pavarur”, ka thënë Florian Dushi, anëtar i LDK’së në KQZ.

Dushi ndër të tjera ka thënë se është e gabuar që Valdete Daka ka kontaktuar me këshilltarët e Presidencës.

Edhe Faton Fetahu këshilltar ligjor në kuadër të PDK’së ka thënë se letra e Osmanit është ndërhyrje në punën e KQZ-së si institucion i pavarur, derisa ka rikujtuar Aktgjykimin e Kushtetueses gjatë kohës sa Jakup Krasniqi kishte qenë ushtrues detyre.

“Letra e u.d. të presidentes paraqet shkelje flagrante të punës dhe pavarësisë së KQZ’së”, ka thënë Fetahu.

Fetahu është përplasur edhe me këshilltarin e Vjosa Osmanit duke thënë se “është për keqardhje që zyra e Presidencës të flet me gjuhën e një subjekti politik”.

Derisa Peci iu është përgjigjur këtyre akuzave se Presidenca është e interesuar që të garantohet mbarvajtja e procesit dhe vota e lirë.

“E dimë që KQZ është e pavarur. Nuk mund të quhet me tendencë, kërkesa e presidentes për funksionimin demokratik të institucioneve, e që nuk funksionon pa hallkën e garantimit të votës së lirë. Në asnjë formë nuk mund të shihet si konflikt interesi një reagim i tillë, vetëm pse presidentja ka paralajmëruar pjesëmarrje në procesin zgjedhor”, ka thënë Peci në Rubikon.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen me datë 14 shkurt, derisa tashmë ka filluar edhe aplikimi i diasporës për t’u përfshirë në procesin zgjedhor që rrodhi si pasojë e rrëzimit të Avdullah Hotit nga pushteti pas Aktgjykimit të Kushtetueses për votën e Etem Arifit.