Monday, September 20, 2021

Lionel Messi mund të pezullohet me 4 ndeshje, pas kartonit të kuq

Lionel Messi mund të pezullohet deri në katër ndeshje moslojë, pasi u ndëshkua me kartonin e parë të kuq në fanellën e Barcelonës në disfatën e së dielës 3:2 në finale të Superkupës së Spanjës kundër Athletic Club.

Barça u duk sikur ishte në binarë për ta fituar trofeun e parë nën epokën e Ronald Koeman pasi e pati epërsinë dy herë falë golave nga Antoine Griezmann, por një gol i vonsëhm i Asier Villalibre e çoi ndeshjen në kohën shtesë, raporton Gazeta Express.

Inaki Williams ia dha epërsinë Athletic Clubit – i cili në gjysmëfinale e mundi Real Madridin – në minutën e 94-të dhe kur koha po ikte dhe Barcelona po humbiste 3:2, Messi e humbi toruan.

Gjyqtari nuk e kishte parë incidentin por pas ndërhyrjes së dhomës së VAR-it dhe rishikimit të rastit, argjentinasi u ndëshkua direkt me të kuqin. Ky ishte kartoni i parë i kuq i Messit në 753 paraqitje për Barcelonën

Komiteti i Federatës së Futbollit të Spanjës do të mblidhet këtë javë për të vendosur rreth shkallës së ndëshkimit të Messit.

Messi, 33-vjeçar, do të pezullohet me dy ndeshje sigurt, por pezullimi i tij mund të dyfishohet, varësisht sesi e vlerëson veprimin e tij komiteti i federatës.

Ai do ta shërbejë pezullimin në La Liga dhe Kupën e Mbretit.

Prandaj, Messi do të mungojë kundër Cornella – skuadrës nga kategoria e tretë – në Kupën e Mbretit të enjten dhe në takimin e fundjavës së ardhshme kundër Elches në La Liga. Nëse pezullimi i tij dyfishohet, atëherë ai do të mungonte në ndeshjen e rrethit tjetër në Kupën e Mbretit gjithmonë nëse Barcelona e mund Cornellan, si dhe kundër Athletic në La Liga në Camp Nou më 31 janar.