Saturday, September 25, 2021

Skenderaj/Me temperatura nën 0, fillon procesi mësimor

Edhe në komunën e Skenderajt ka filluar normalisht procesi mësimor në kudër të periudhës së dytë të vitit shkollor 2020-2021, me sfidën e vetme të motit ku temperaturat në këtë fillim të javës kanë shënuar 7 gradë nën zero, shkruan Rajoni.

Në një prononcim për Rajonin, të drejtorit të Arsimit të Skenderajt, Bekim Latifi, bëhet e ditur se procesi edukativo-arsimor në shkollat e komunës së Skenderajt ka filluar sipas “planit A”, që nënkupton mësim me prani fizike në klasë.

“Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një fillim të mbarë dhe sipas planifikimeve të mëhershme të procesit mësimor. Janë pajisur të gjitha shkollat e komunës sonë edhe me dezinfektues dhe material tjetër higjienik, në funksion të ruajtës së shëndetit të nxënësve, personelit mësimor dhe të gjithë atyre që janë të kyçur në këtë proces. Falë bashkëpunimit të mirë më Ambasadën Britanike dhe UNICEF-in, bashkë me këto do institucione, kemi pajisur shkollat me dezinfektues dhe material higjienik, në kuadër të angazhimeve për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19. Sot në mëngjes isha në vizitë në disa shkolla ku pash se gjithçka kishte filluar për së mbari”, ka thënë drejtori Latifi.

Ai ka siguruar të gjitha shkollat janë të furnizuara edhe me lëndë djegëse, për të përballuar sa më mirë stinën e dimrit, duke ofruar kushte të mira gjatë procesit mësimor.