E mërkurë, 23 Qershor, 2021

Zjarr në arkivin e stacionit policor në Drenas

Është kapluar nga flakët arkivi i stacionit policor në Drenas, ndërsa shkaqet mbeten të panjohura.

Mesditën e sotme në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri arkivi i stacionit policor në Drenas.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Borovci ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, përderisa ende nuk dihen shkaqet dhe se janë duke u analizuar të gjitha rrethanat që kanë shkaktuar këtë zjarr.

“Rreth orës 13:00 është vërejtur një tym në zyrën e arkivit të stacionit policor në Drenas. Nga ana e zyrtarëve policor që kanë vërejtur tymin janë përdorur aparatet për shuarjen e zjarrit dhe njëkohësish janë ftuar edhe zjarrfikësit. Në vendin e ngjarjes po ashtu është ftuar edhe  IPK. Zjarri është lokalizuar dhe policia ka filluar punën për evidentimin e dëmeve që janë shkaktuar, si dhe po analizon rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim ndriçimin e shkaqeve të zjarrit”, ka thënë Borovci.