Home Lajme Haradinaj në Drenas: Referendum për bashkimin me Shqipërinë nëse nuk ndodh integrimi...

Haradinaj në Drenas: Referendum për bashkimin me Shqipërinë nëse nuk ndodh integrimi euroatlantik

Lideri i AAK-së, njëherit kandidati për president në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka përmendur para strukturave të partisë që udhëheq ai sot në Drenas, disa arsye se pse duhet të votohet Aleanca.

Ramush Haradinaj, ka thënë ndër të tjera që qëllimi i tij si president është të përmbyll detyrat e rëndësishme që i kemi në rrugën tonë: forcimin e sektorit të sigurisë, garantimin e funksionimit të Intelegjencës, Gjyqësorit, Politikës së Jashtme e detyra të tjera, në funksion të fuqizimit të Atdheut tonë.

Ky është postimi i plotë i tij:

Pse duhet të votohet Aleanca me 14 shkurt? Çka ndodh me Kosovën pas kësaj ditë? Çfarë na pret në pesë vitet më pas? Këto ishin temat për të cilat iu drejtova sonte strukturave të Aleancës në Drenas.

Gjatë mandatit tim si kryetar i qeverisë, kam parë rrezikun se Kosova mundohej të paraqitet si e pazonja për të zgjedhur punët e saj, pa Brukselin e pa negociatat me Serbinë. Ndërtova asokohe strategjinë time, që të pengoja qëllimin kryesor të këtij rreziku, që ishte ndarja e Kosovës. Ndërtuam murin kinez për Serbinë, respektivisht vendosëm taksën. Evituam pra, rrezikun e ndarjes së vendit dhe Kosovën e forcuam si partner serioz në rrafshin ndërkombëtar.

Në këto zgjedhje, unë kandidoj për President të vendit. Qëllimi im është të përmbylli detyrat e rëndësishme që i kemi në rrugën tonë: forcimin e sektorit të sigurisë, garantimin e funksionimit të Intelegjencës, Gjyqësorit, Politikës së Jashtme e detyra të tjera, në funksion të fuqizimit të Atdheut tonë.

Me 14 shkurt do të votojnë të gjithë. Si shtetas të Kosovës, nuk duhet të mendojmë ngushtë dhe të votojmë ngushtë. Ne duhet ta zgjerojmë vizionin, andaj, bëj thirrje që të votohet Aleanca.

Duke uruar suksese për kandidatët e Drenasit, kam shpalosur pikat kryesore të programit qeverisës të Aleancës, për vitet 2021 – 2025, me theks të veçantë të fondit një miliardësh, që përfshihet në kuadër të planit ekonomik, e që dita ditës po përkrahet dhe promovohet si ide edhe nga partitë e tjera.

Gjithashtu shpjegova për rrezikun që Kosova të mbetet në pozita të njëjta për shumë vite në vijim, e rrethuar dhe e izoluar. Edhe pse ne kemi orientimin tonë euroatlantik, nuk jemi pa opsion, nëse kjo gjendje e Kosovës do të vazhdojë me tendenca që të zgjatet deri në pafundësi. Opsioni tjetër, do të jetë Referendumi i organizuar për bashkimin tonë më Shqipërinë, sepse ne nuk do të qëndrojmë duarkryq. Ky nuk është kërcënim për askënd, por thjesht Kosova e ka të domosdoshme antarësimin në NATO, qoftë si shtet i pavarur, qoftë si e bashkuar me Shqipërinë.

Pas takimit me struktura, kam vizituar familjen e mikut tim, rapsodit të ndjerë Tahir Qorri (Drenica), atdhetarit të madh, që i këndoi lirisë dhe heronjve gjatë tërë jetës së tij. Me këtë rast, i kam ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” (post mortem), për kontributin e tij për çështjen kombëtare. Falënderoj përzemërsisht familjen Qorri për mikpritjen.

Most Popular