Tuesday, September 21, 2021

E dërguan në mal dhe e dhunuan katër persona, detaje rrëqethëse nga dhunimi i 19-vjeçares në Prishtinë

Një 19-vjeçare ka përjetuar një tmerr katër muaj më parë në fshatin Koliq të Prishtinës, raporton Gazeta Sinjali.

Ajo dyshohet se është dhunuar seksualisht nga katër persona, dy prej të cilëve i njeh.

Kjo ngjarja e tmerrshme, sipas burimeve të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka ndodhur në mal, në një shtëpi të pabanuar, rrugës për në fshatin Koliq.

Ajo ka deklaruar se katër të dyshuarit pasi e kanë futur në atë shtëpi kanë kryer me forcë marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj.

Si pasojë e këtij akti, 19-vjeçarja ka thënë se ka mbetur shtatzënë dhe vetëm pasi e ka kuptuar këtë gjë, ka vendosur që ta raportojë rastin në polici.

Dy personat e dyshuar, të cilat vajza ka thënë se i njeh, janë A.G. dhe D.K. (të dy emra të njohur për redaksinë).

Ndërkohë, dy të dyshuarit e tjerë ajo i kishte parë për herë të parë natën kur i ndodhi tmerri.

Lidhur me këtë rast, Gazeta Sinjali mëson se është njoftuar prokurori dhe rasti është klasifikuar si “dhunim”.