Monday, September 20, 2021

Qasja selektive e Vjosa Osmanit ndaj grave: Asnjë fjalë për kërcënimet ndaj Valdete Dakës

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së është emri më i përfolur i ditëve të fundit në media. Ajo u përmend e linçua me të madhe nga eksponentë të Vetëvendosjes për shkak se liderit të këtij subjekti, Albin Kurti, iu pamundësua kandidimi në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ndonëse Daka disa herë e përmendi se ajo dhe familja e saj po ndjehet e kërcënuar, qarqe të ndryshme në vend që rëndom reagonin edhe për dukuri më të vogla, kësaj radhe heshtën.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, siç duket nuk e ka ndërmend t’i reagojë partisë me të cilën është duke garuar bashkë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Vjosa Osmani njihet si ndër personazhet politike që promovon më së shumti të drejtat e grave dhe qasjen e barabartë ndaj tyre. Përveç kësaj, Osmani ka qenë në të shumtën e rasteve personi më i zëshëm në dukuritë ku janë cënuar gratë, shkruan lajmi.net.

Por kështu nuk po ndodhë në rastin e Valdete Dakës, kryetare e KQZ-së. Kjo e fundit, sot në një konferencë për media tha se familja e saj është shumë e shqetësuar me kërcënimet publike që po i bëhen asaj për shkak të mos-certifikimit të kandidatëve të caktuar për zgjedhjet e 14 shkurtit. Linçimet kryesore asaj i erdhën nga Vetëvendosje, nisur nga Glauk Konjufca mbrëmë e Xhelal Sveçla sot.

https://lajmi.net/daka-thote-se-po-kercenohet-publikisht-kandidimin-ua-pamundeson-ligji-jo-une/embed/#?secret=xN8G6RRUdn

Madje ky i fundit, në një postim që pati në Facebook, ia përmendi edhe moshën Valdete Dakës, duke aluduar se ajo ka mbetur prapa, në kohën kur ishte president Hashim Thaçi.

“Valdete Daka e ka moshën 60 vjeç, mirëpo ajo është një vit e vjetër. Po mendon që ndodhet në janarin 2020 kur ish presidenti Thaçi i dërgonte letra Albin Kurtit, dhe bënte darkë pune me ish ambasadorin Grenell. Dhe, ndjehet e frikësuar mandej”, shkruajti ai.

E këto zhvillime nuk ia shkelën aspak syrin Vjosa Osmanit që nuk e tha asnjë fjalë për kërcënimet ndaj Valdete Dakës.  Rëndësia e këtij fakti rritet edhe duke pasë parasysh deklaratat e mëhershme të ushtrueses së detyrës së presidentit, kur denonconte LDK-në se e ka përjashtuar veç pse është grua.

“U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundërshtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar”, shkruante Osmani hiç më larg se në qershor të 2020-tës.

Osmanit s’iu kujtua të reagonte ani pse sot pati edhe një paraqitje para mediave kur shkoi të bënte homazhe tek varri i ish-presidentit Rugova. Aty ajo shkoi bashkë me Albin Kurtin.

Vjosa Osmani bashkë me kolegët që iu bashkuan listës së saj, do të garojë bashkë me Albin Kurtin në zgjedhjet që mbahen në mes të shkurtit. Nuk dihet nëse ky është fakti pse ajo po tregohet selektive në reagimet e saja, apo ka ndonjë shkas tjetër për mos-reagim.

E ndonëse Osmani nuk e tha asnjë fjalë, këtë e bënë ndërkombëtarët.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde me anë të një shkrimi në Twitter tha se KQZ duhet të punojë pa ndërhyrje dhe se certifikimi i nënshtrohet procesit dhe dispozitave ligjore.