Wednesday, October 20, 2021

(Mos)transferimet e lojtarëve sjellin përçarje në klubin e Liverpoolit?!

Menaxheri i Liverpool, Jurgen Klopp gjatë deklaratës së tij pas ndeshjes ndaj Burnley, ka biseduar rreth transferimeve të cilat nuk po ndodhin në klubin e tij.

Gjatë një konference për shtyp pas ndeshjes, Klopp tha se nuk i takonte atij të përcaktonte nëse klubi duhet të forcojë skuadrën e tyre apo jo.

“Këto nuk janë vendimet e mia,” tha ai. “Nëse dikush mendon se duhet të bëjmë diçka, unë nuk mund të vendos nëse bëjmë diçka apo jo në tregun e transferimeve, le të jemi të qartë.

Nëpërmjet kësaj deklarate shihet se fajin kryesor Klopp po e lë te drejtuesit e klubit, të cilët janë të parët që duhet t’i ofrojnë një zgjidhje trajnerit gjerman.

“Por kjo nuk është diçka për të cilën po mendoj. Thjesht me këtë grup, ne mund të luajmë shumë më mirë”, u shpreh ai.

Dështimi i klubit për të adresuar në mënyrë adekuate zonat në skuadër që kanë nevojë, po ka një ndikim të madh për momentin.

Kjo pikë është veçanërisht e rëndësishme për mbrojtjen e The Reds (ku janë lënduar lojtarët kryesorë sikurse Van Dijk, Joe Gomez e Joel Matip) dhe transferimet që duhet të ishin bërë në fillim të afatit kalimtar për të zgjidhur atë situatë.

Nëse Klopp i ka bërë rekomandime bordit dhe ata janë anuluar, ky do të ishte një gabim masiv nga ana e tyre.

Sidoqoftë, nëse ai ka vendosur të mos transferojë lojtarët ndërsa rivalët e tij po forcohen, fajtori i vetëm do të jetë ai.

Ekzistojnë të gjitha mundësitë që 53 vjeçari të përsërisë të kaluarën e tij, ku gjatë vitit të gjashtë në Borussia Dortmund në 2014/15,  pa një rënie të shpejtë pas një periudhe suksesi.

Pavarësisht nga problemet me të cilat përballen, është e domosdoshme që Klopp dhe klubi të gjejnë zgjidhje të shpejta.