Saturday, October 16, 2021

Skenderaj/23 vjet nga sulmi i dytë mbi Familjen Jashari!

Sot janë bërë plot 23 vjet nga sulmi i dytë i forcave policore e ushtarake serbe mbi familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt, dhe me këtë rast, një delegacion i Komunës së Skenderajt, i udhëhequr nga kryetarit Bekim Jashari, ku ishte e pranishme edhe motra e tij, Besarta, e mbijetuara e luftës së Jasharëve, më 5,6 e 7 mars të vitit 1998, ka bërë homazhe te varret e dëshmorëve në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari në Prekaz.

Kryetari Jashari, në një postim në llogarinë e tij në facebook, ka shkruar:

“Sot, për nderë të përvjetorit të 23-të të triumfit të familjes Jashari mbi sulmin e dytë të forcave serbe bashkë me motrën Besarten dhe djalin Hamzën, Nënkryetarin e Komunës, Nuredin Lushtaku, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, ish deputetin, Bekim Haxhiu, drejtorë komunal, asambleistë, zyrtar komunal e qytetarë, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz bëmë homazhe në shenjë nderimi për luftën heroike të familjes Jashari.

Disfata që pësoi 23 vite me parë regjimi shovenist serb nga familja Jashari ishte sinjal i qartë që Liria po vjen.

Jemi përherë krenarë e mirënjohës për sakrificën e dëshmorëve të kombit.

Lavdi të rënëve që jetësuan ëndrrën tonë shekullore për Liri e Pavarësi!”.