Monday, September 20, 2021

Luis Suarez po i tregon Barcelonës se çfarë po i mungon

Biznesi i transferimeve të Barcelonës është kritikuar nga tifozët dhe ekspertët në vitet e fundit, por pak vendime mund të vlerësohen më të këqija se ai i lejimit të sulmuesit uruguaian Luis Suarez që të largohej drejt Atletico Madridit para fillimit të këtij edicioni.

Përveç mërzitjes së yllit të klubit, Lionel Messi, për shkak të mënyrës se si drejtuesit e trajtuan Suarezin, Barça e dobësoi veten dhe i dha Atleticos llojin e golashënuesit që nuk e kishte pasur në radhët e veta gjatë edicioneve të fundit.

“Nuk mund ta besoja atë që ata bënë me Suarezin, ishte çmenduri”, ishte ankuar Messi në dhjetor pas paraqitjeve të mira të Suarezit te Atletico. “Ata e lanë atë të shkonte falas, duke paguar kontratën e tij dhe mbi të gjitha ata ia dhanë Suarezin një skuadre që do të luftonte për titullin e kampionit kundër nesh”.

Në fakt, Messi kishte plotësisht të drejtë për shkak se Suarez është shndërruar në lojtarin kryesor te Atleticos këtë edicion.

Ndeshjet e edicionit të shkuar në të cilat ekipi i trajnerit Diego Simeone kishte vështirësi, këtë edicion janë kthyer në fitore falë një Suarezi të frymëzuar.

Dy golat e tij kundër Eibarit kanë bërë që Suarez t’i prijë listës së golashënuesve të La Ligas. Ai ka 11 gola ku gjashtë prej tyre i ka shënuar në pesë ndeshjet e fundit.

Numër të golave sa Suarezi ka edhe Messi i Barcelonës. Me Suarezin në ekip, te Atletico kanë filluar të ëndërrojnë se këtë edicion mund ta fitojnë titullin e kampionit dhe këtë e ka pranuar edhe trajneri Simeone. Me transferimin e Suarezit, te Atletico javë më i parë i kanë shkëputur kontratën sulmuesit Diego Costa.

“Jemi në rrugë të mirë dhe me Suarezin në ekip jemi bërë edhe më të rrezikshëm për kundërshtarët”, është shprehur Simeone.

Suarez do ta udhëheqë sulmin e Atleticos në ndeshjen në shtëpi kundër Valencias. Kjo ndeshje zhvillohet të dielën kur Suarezi feston ditëlindjen e tij të 34-t. Suarez e ka parasysh se fitorja ndaj Valencias do ta ndihmoj Atleticon të mbajë pozitën e parë në La Liga. Aktualisht Atletico ka tubuar 44 pikë pas 17 ndeshjeve të luajtura, duke lënë pas vetes Real Madridin (37) e Barcelonën (34), si dhe ka një duel më pak të zhvilluar.

“E dija që po bashkohesha me një klub që po lufton për trofe të rëndësishëm dhe qoftë përmes golave ​​apo asistimeve të mia, gjithçka që dua të bëj është të ndihmoj skuadrën. Shpresoj të vazhdoj me këtë formë”, tha Suarez, që ka kontratë me Atleticon deri në vitin 2022.

Raportet nëpër mediat spanjolle thonë së fundi se nëse Suarez shënon edhe katër gola, atij automatikisht do t’i jepet një rritje page. Aktualisht ai ka një pagë vjetore prej gjashtë milionë eurosh te Atletico. Duke pasur parasysh golat e tij që po e shtyjnë Atleticon drejt titullit, atëherë shpërblimet për Suarezin do të jenë një çmim i vogël për të paguar për një klub që kërkon titullin e parë që nga viti 2014.