Home Lajme Vision-Mega me reagim të ashpër ndaj Ramiz Lladrovcit: thuaj cilët janë tre...

Vision-Mega me reagim të ashpër ndaj Ramiz Lladrovcit: thuaj cilët janë tre kriminelët e Drenasit!?

Gazeta online nga Skenderaj i reagon Ramiz Lladrovcit:

Përgjigje në reagimin e Ramiz Lladrovcit

(Ramiz Lladrovci, ajo dhelpra që e ke fotografu, po del që paska rënë në pishinën tënde dhe ta paska hënger peshkun e artë. Ruaju prej saj. Dhe meqë po të ‘kruhet’ fort, shkrimi tjetër do të jetë edhe më i dhembëshëm për ty)

Paska reaguar kryetari më hajgaregji në Kosovë, sepse i paska ardhë merzi që gjendjen në degën e PDK-së në Drenas e kam cilësuar tragjikomike. E Ramiz Lladrovci, nuk ka të bëjë asgjë me degën e PDK-së në Drenas, bile zor që është edhe anëtar i PDK-së dhe aty në degë nuk u bën askush hesap. Ramiz Lladrovci, ti e di mirë se si ke kaluar në mbledhjen e fundit të kryesisë së degës së PDK, në të cilën merrte pjesë kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj. Ti e din fare mire (mund edhe ta përkujtoi) se si të kanë sharë e të kanë fyer, madje ishte Enver Hoxhaj ai që “priti e ndau” që ti dhe disa anëtarë të kryesisë të mos përleshëshit. Aty janë përmend edhe gratë, ti e di mire këtë, mund ta përkujtoi edhe çka ka thenë secili. E din ti Ramiz Lladrovci që je vetë ai që e ke pengu zgjedhjen e kryesisë së re të degës së PDK-së, sepse nuk i pranojnë njerëzit tu. Për PDK-në në Drenas, mund të flas vetëm kryetari i degës, Sejdi Hoxha, apo ndonjë anëtar tjetër i kryesisë e në asnjë mënyrë ti, sepse aty je kërkushu. Tjetër gjë është që ti e ke gjetur but, i shantazhon njerëzit, besa edhe i kërcënon. Ku e merr guximin ti Ramiz Lladrovci me iu ba thirrje qytetarëve të komunës së Drenasit që të mos i votojnë kandidatët e Skenderajt.

Bile në një foto kishe qeshur ëmbël, “kinse kam ba punë të madhe”.

Ramiz Lladrovci, Vision Mega është gazetë online, nuk është portal, por fatkeqësisht, apo edhe fatmirësisht, ti nuk di me e ba dallimin. Atë e drejtoj unë, Kajtaz Gecaj, që vetëm në gazetën “Zëri” i kam 21 vjet punë gazetari. Unë i kam mbuluar dhe i mbuloj gjithë rajonin e Mitrovicës: Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn, Drenasin, katër komunat veriore, bile edhe Istogun e Klinën. Eshtë nder i madh për mua që nuk më vlerëson Ramiz Lladrovci, jam krenar që ai më quan ‘gazetaruc’, sepse as vet se di çka është ai. Mua më vlerësojnë ata që më lexojnë që 30 vjet, çka më ha mu për Ramiz Lladrovcin. ‘Gazetaruc’ e ka quajtur edhe gazetarin Vehbi Kajtazi, vetëm pse ia tha në sy se “ti e ke çu në Hagë Hashim Thaçin, duke e akuzuar për vrasjen e Behajdin Hallaqit”. Këtë të vërtetë e ka konfirmuar edhe gazetaari Milaim Zeka. Ti Ramiz Lladrovci je në politikë aksidentalisht, sikurse me të shkelë kamioni, ke ardhë me ndihmën e Kadri Veseli edhe po tenton me marrë edhe një mandat duke u thirrë në Kadri Veselin. Ty zotëri të ka kapë paniku, sepse kolltuku i të parit të komunës është i ëmbël, zor me lëshu. Për këtë arsye vetëshpallesh kandidatë, disa që i ke shokë e jarana ta urojnë. Vërtetë sa tragjike, aq edhe komike.

“Drenasi i ka tre kriminelë” më ke thanë mua në zyrën tënde për informim dhe komunikim me publikun!. I ke theksuar edhe emrat, me emër e me mbiemër. Nëse vërtet ata njerëz janë kriminelë duhet të shkojnë në Prokurori. Ti gjithmonë po thirresh në gjykata e në prokurori, dërgoi këta njerëz atje. Unë do t’i them emrat e tyre pa asnjë hezitim. Do t’i them edhe emrat e atyre që kanë qenë në zyrë. E din mirë ti Ramiz kur erdhe me haz në zyre (sepse njëri prej punëtorëve erdhi e të thirri), si e quajte atë gruan e dëshmorit Mehmet Saliuku, e cila familje është e vetmja në Kosovës që nuk i është zgjidhur çështja e banimit. Ajo grua është me kancer, është edhe viktimë e dhunës seksuale, vajza e saj është plagosur gjatë luftës kur i kishe vetëm disa muaj dhe për pasojë ajo tani duke sikurse një 5-vjeçare. Përseris, familja e dëshmorit Mehmet Saliuku është e vetmja në Kosovës që nuk ka strehë, a nuk të vjenë turp hiq. Të tregoj unë me çfarë fjale e ke quajtur atë. Bile nuk të erdhi hiq keq prej as zyrtares  në zyrë me e thenë atë fjalë. Bile edhe ndiheshe krenar.

Ti Ramiz Lladrovci, tregoju qytetarëve të Drenasi për ç’arsye po kërkon njerëz më ia çu Sami Lushtakut, për t’u pajtuar me të. Edhe diçka, çfarë pune ke ti me atë Fatmir Kajollin e Fierit, një biznesmen kriminel, i cili është gjykuar në Itali dhe Shqipëri, për trafik droge dhe për rrahje në një proces zgjedhor dhe të cilit iu kanë sekuestruar shumë prona. Një ‘gazetaruc’ tjetër, Besni Krasniqi, ka paraqitur një pjesë të raportimit të medieve në Tiranë për kriminelin që Lladrovci e quan atdhetar e patriot.

“Fatmir Kajolli është një ndër personazhet e shumtë që bëri sukses si biznesmen në Shqipëri, ndonëse ishte i dënuar prej vitit 2000 me 6 vjet burg nga Gjykata e Romës (dënimi i reduktuar në shkallën e dytë) dhe 16 vjet të tjera nga Gjykata e Milanos për vepra penale që lidhen me trafikun e narkotikëve. Në vitin 2011, ai u katapultua gjithashtu në politikën lokale dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të Fierit nën siglën e Partisë Republikane”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.

Dhe për fund, Ramiz Lladrovci, ajo dhelpra që e ke fotografu, po del që paska rënë në pishinën tënde dhe ta paska hënger peshkun e artë. Ruaju prej saj. Dhe meqë po të ‘kruhet’ fort, shkrimi tjetër do të jetë edhe më i dhembëshëm për ty.

Most Popular