Tuesday, October 26, 2021

Kërkohet që me barrikada të ndalet Sami Lushtaku në Drenas

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci paska ‘problem të madh’ me Sami Lushtakun, sepse ky i fundit nuk po e pyet, kur si nënkryetar i Partisë Demokratike po bën fushatë nëpër fshatra të komunës së Drenasit.  Madje, i pafuqishëm për ta ndalur Lushtakun, ai ka kërkuar nga qytetarët e komunës së vet që të mos i votojnë kandidatët e Skenderajt.

Një propozim ka ardhur nga një komentues në rrjetin social facebook, i cili i ka propozuar Lladrovcit që të vendosë barrikada, përcjell vision-mega.

“Lehtë e ka Mizi me e ndalë Sami Lushtakun, lë të vendosë barrikatë të Guri i Plakës, barrikadë në Komaran, barrikade në Polluzhë, besa barrikadë edhe te dera e komunës. Ai pastaj veç në fluturoftë”, ka shkruar ai. E një tjetër ka shkruar: “Mizi e çon në gjyq, ai veç me ligj, nuk munet Sami Lushtaku kur të ka qef me hy në Drenas!”.

Ndryshe, tendenca e Ramiz Lladrovcit për të mos e lejuar Sami Lushtakun dhe kandidatët e PDK-së së Skenderaj për të bërë fushatë në territorin e komunës së Drenasit është bërë temë hajgareje në këtë pjesë të Drenicës. “Me kërku që të mos votohen kandidatët e PDK-së nga Skenderaj, kur edhe vet është kinse PDK, është e paparë dhe e padëgjuar. Disa njerëz të tij i kanë mbetur jashtë liste, ndërsa është në siklet edhe për vehte, sepse zgjedhjet lokale vijnë shpejtë”, thonë në Drenas.