E premte, 25 Qershor, 2021

Sulmoi fizikisht gruan, dyshohet se u vra nga babai: Çka dihet deri më tani për rastin që tronditi Prishtinën

Një vrasje e rëndë ka ndodhur dje në Prishtinë. Skender Krasniqi dyshohet se e ka vrarë djalin e tij, Albert Krasniqin. Rrethanat se si ka ndodhur rasti ende nuk janë bërë të ditura. Gazeta Express sjell detajet.

Dje rreth orës 17:00 në rrugën “Ndue Perlleshi”, në Prishtinë ka mbetur i vdekur Albert Krasniqi. 

Babai i viktimës, është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është konfiskuar arma me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

Sipas informacioneve që kanë qarkulluar në media, babai i Albert Krasniqit ka lajmëruar policinë pasi kreu vrasjen duke iu thënë “Ejani se e vrava djalin”.

Lidhur me rastin kanë dhënë detaje për Gazetën Express nga policia e Kosovës.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Aktualisht jemi në fazen  fillestare të ndërmarrjes se veprimeve hetimore dhe atyre të ekzaminimit të vendngjarjes në funksion të ndriçimit të plotë të këtij rasti​”, kanë deklaruar mbrëmë nga policia.

Dyshohet se viktima ka pasur probleme familjare dhe ka kërcënuar që disa ditë familjarët e tij për t’ia plotësuar kushtet që kërkonte, kanë raportuar tutje mediat.

Reporteri ka raportuar se Albert Krasniqi ka qenë në kërkim nga Policia në lidhje me një rast të dhunës fizike ndaj Besa Gashit, ish-bashkëshortes së tij.

Deri te vrasja e biznesmenit ka ardhur pas një përplasje që ai ka pasur paraprakisht me babanë e tij, i cili i kishte kërkuar që të dorëzohej në Polici pasi ai kishte ushtruar dhunë ndaj ish-gruas së tij, Besa Gashin.

Albert Krasniqi dhe Besa Gashi

Albert Krasniqi ishte i martuar me ish-missin e Kosovës Besa Gashi, ndërsa së fundmi ata i dhanë fund martesës së tyre, pasi kishin pasur kriza edhe në të kaluarën. Nga martesa e tyre ata kanë edhe një vajzë.

Ndërsa, 7 orësh para se të vdiste i ndjeri e kishte postuar një fotografi të vajzës së tij, në mbishkrimin e së cilës shkroi “dashuria e babit”.

Krasniqi ishte i përfshirë në plagosjen e reperit nga Shqipëria Noizy në qendër të Prishtinës.

Albert Krasniqi dhe babai i tij

Plagosja kishte ndodhur më 13 shtator të vitit 2016. Rigels Rajku i njohur si Noizy është dënuar me dy mijë euro gjobë për incidentin ku ai mbeti i plagosur. Ndërsa, Albert Krasnqi ishte dënuar nga Gjykata me 6 muaj burgim me mundësinë që dënimin ta shlyejë me para.

Vendimi i gjykatës e ngarkonte Krasniqin edhe me një dënim shtesë prej 8 mijë eurosh për veprat e tjera në aktakuzë. Shpallja e gjykimit është bërë në një seancë ku dy të akuzuarit nuk kanë marrë pjesë.