Monday, September 20, 2021

Skenderaj/Më rëndësi votat e virusi “e theftë qafën”

Tani kur kanë mbetur diçka më shumë se dy javë nga dita e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, partitë politike që garojnë në këto zgjedhje janë duke vazhduar fushatën e tyre elektorale në komunën e Skenderajt, me takimet e tyre me qytetarë në vende kryesisht të mbyllura.

Fushata parazgjedhore pritet të fillojë pas pak ditësh, por kjo nuk i ka penguar udhëheqësit e partive politike të mbajnë takime me elektoratin, për t’i mobilizuar që të dalin në zgjedhjet e 14 shkurtit në numër sa më të madh, me synimin e vetëm t’i fitojnë këto zgjedhje.

Partia Demokratike e Kosovës është subjekti politik që është treguar më  aktiv sa u përket takimeve.

Kjo parti ka mundur të mbledh numër të madh të qytetarëve në takimet elektorale, duke u veçuar ai me veteranë, invalidë e familje të dëshmorëve, para pak ditësh në një nga restorantet e qytetit të Skenderajt, ku ishin mbledhur qindra të tillë. Po atë ditë, në vendlindjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, në Buroë të Skenderajt, PDK-ja kishte organizuar një takim tjetër me qytetarë, brenda një fushe të improvizuar të futbollit.

Përjashto PDK-në, partitë tjera nuk kanë zhvilluar takime të mëdha me elektoratin, përveçse të tilla në numër më të vogël.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur disa takime kryesisht nëpër shtëpi, por puna më e madhe që është bërë kanë qenë anëtarësimet e reja në këtë parti.

Në anën tjetër, ekspertët shëndetësor kanë ngritur shqetësime lidhur me këto takime, kudo që ato mbahen gjatës kohës kur po përballemi me pandeminë Covid-19, nga frika e përhapjes së virusit.

Deri në ditën e 14 shkurtit, kur mbahen zgjedhjet për parlamentin e ri të Kosovës, partitë politike mund të vazhdojnë takimet e tilla, pavarësisht rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike që të mos ketë tubime deri në 50 persona, rreziku i përhapjes së virusit mbetet i lartë nga këto takime të dala jashtë kontrollit.