Home Lajme Skenderaj/Shembet rruga në Klinë të Epërme

Skenderaj/Shembet rruga në Klinë të Epërme

Disa shtëpi në lagjen Bajraktari në fshatin Klinë e Epërme, e sidomos shtëpia e Xhavit Bajraktarit, ndodhen në rrezik nga përmbytjet, kjo për shkak të rritjes së nivelit të lumit “Klina”, që rrjedh afër objekteve të banimit.

Në një video të dërguar në redaksinë e Rajonit, nga Xhavit Bajraktari, ky i fundit sqaron se si rrjedha e lumit ka gërryer një pjesë të rrugës së paasfaltuar, afër shtëpisë së tij, duke rrezikuar kështu kalimtarët andej pari, në mesin e të cilëve është edhe vajza e tij 8 vjeçare, e cila shfrytëzon atë rrugë për të shkuar në shkollë.

“Kjo rrugë do të bëhet e pakalueshme, nëse nuk intervenohet tani. Është shumë e rrezikshme sidomos për fëmijë që shkojnë në shkollë. Është urgjente të ndërmerren hapa konkret, që mos të bëhet vonë pastaj”, ka thënë Bajraktari, i shqetësuar nga rreziku që mund të pësojë dikush nga bashkëfshatarët e tij.

Ai ka apeluar te organet komunale, që të rregullojnë rrugën e lagjes së tij, në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm, veçmas nxënësit që e shfrytëzojnë rrugicën në fjalë për të shkuar në shkollë dhe anasjelltas.

Most Popular