E mërkurë, 23 Qershor, 2021

Skenderaj/Komuna nuk i di kompetencat e veta

Komuna e Skenderajt, duke iu përgjigjur pyetjeve të Kallxo.com, lidhur me zbatimin e masave kundër përhapjes së COVID-19, përkatësisht mosndëshkimin e partive politike të cilat janë duke mbajtur tubime me mbi 50 persona në ambiente të mbyllura, është deklaruar se institucionet qendrore është dashtë të rregullojnë këtë çështje dhe kështu t’ua ndalojnë tubimet partive politike.


“Marrë parasysh që çështja e mos respektimit të masave parandaluese ndaj pandemisë COVID-19 nga partitë politike është bërë problem nacional, i shprehur në të gjitha komunat e Kosovës dhe nga të gjitha partitë, institucionet qendrore pas shpalljes së zgjedhjeve është dashur që të rregullojnë këtë çështje dhe kështu tua ndalojnë partive politike mbajtjen e organizimeve të tilla politike”, ka qenë përgjigja e Komunës për Kallxo.com.


Mirëpo, në këtë rast, Komuna e Skenderajt ka anashkaluar kompetencat dhe përgjegjësitë e veta që burojnë nga Ligji NR. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
Tek kapitulli V i masave ndëshkimore, neni 23 flet për edhe për shqiptimin e masave ndëshkimore për shkelësit e ligjit, ku përveç organeve tjera, janë edhe inspektorët komunalë, që obligohen për zbatueshmërinë e ligjit.


“Organet kompetente për shqiptimin e masave ndëshkimore

  1. Masat ndëshkimore të përcaktuara me këtë ligj shqiptohen nga Policia e Kosovës, Inspektorati shëndetësor, inspektorati farmaceutik, inspektorati sanitar dhe inspektoratet komunale.
  2. Mjetet financiare të mbledhura nga masat ndëshkimore derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës.
  3. Kushtet për shqiptimin e gjobave, afateve, procedurat, ankesat dhe çdo çështje tjetër që nuk është përcaktuar me këtë ligj, zbatohen dispozitat e legjislacionit për kundërvajtje”, thuhet në ligjin në fjalë.