Wednesday, October 20, 2021

Çka do të ndodhë me votat për Albin Kurtin, flasin nga KQZ-ja

Votat për kandidatët e subjekteve politike, të cilët nuk janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, nuk do të hyjnë në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve, konfirmon zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Rrjedhimisht, pavarësisht mundësisë që numrat dhe emrat e kandidatëve të pacertifikuar mund të marrin numër të caktuar të votave, ato nuk do të formalizohen ligjërisht.

Kjo do të vlejë edhe për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili vazhdon të thotë që është bartës i listës së këtij subjekti politik, si dhe për dy kandidatë tjerë të këtij subjekti, të cilët nuk janë certifikuar nga KQZ-ja.

Moscertifikim të kandidatëve nga ky institucion ka edhe në disa nga subjektet tjera politike, të cilat garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Por, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të ftojë qytetarët që të votojnë Kurtin, duke thënë se kjo është e drejtë e votuesve nëse ata duan të bëjnë këtë dhe se një veprim i tillë nuk e dëmton Lëvizjen Vetëvendosje.

Në broshurën me listat e kandidatëve të subjekteve politike, të cilën e ka publikuar KQZ-ja në faqen e saj të internetit dhe e cila më 14 shkurt do të jetë në kabinat e votimit, emrat dhe numrat e kandidatëve, të cilët nuk janë certifikuar për zgjedhje, janë larguar.

Në fletëvotime, përveç që figurojnë të gjitha subjektet politike të certifikuara, janë edhe numrat për votimin e kandidatëve prej 1 deri në 110.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka sqaruar procedurën lidhur me nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve.

Siç thotë ai, pas përfundimit të votimeve, anëtarët e Këshillit të vendvotimit, që përbëhet nga përfaqësuesit e subjekteve politike, fillimisht i numërojnë votat për subjektet politike. Më pas, krijohen dengjet me votat e vlefshme për secilin subjekt politik.

Pas këtij procesi bëhet bartja totale e votave për secilin kandidat të cetifikuar.

“Pra, nëse një subjekt politik ka të certifikuar katër kandidatë, ndërkaq që në fletëvotim janë votat për pesë kandidatë, në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve evidentohen këto pesë vota, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këtë formular barten vetëm votat për kandidatët e certifikuar”, theksoi Elezi

Sami Kurteshi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në rast votuesit e votojnë Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekt politik dhe më pas në votimin e kandidatëve e shenjojnë numrin “1”, kjo nënkupton që kanë dhënë votën për Albin Kurtin.

Pavarësisht që në rastin konkret Kurti nuk është i certifikuar, megjithatë sipas tij, mund të dihet numri i atyre që kanë shprehur interesimin që ta votojnë.