Wednesday, October 20, 2021

Thirrja e radhës e VV-së: Mos e dëgjoni KQZ-në, votojeni numrin 1

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka insistuar se vota ndaj prijësit të listës së këtij subjekti politik, do të jetë e vlefshme. Ky subjekt madje ka ftuar që të mos dëgjohet Komisioni Qendror Zgjedhore (KQZ), pasi që vota për Albin Kurtin sipas tyre do të numërohet.

Vetëvendosje, me anë të një postimi në Facebook, ka kërkuar nga përkrahësit e tyre që kandidatët të numërohen nga numri 1, e të mos mënjanohen në votim.

“Secila votë për Vetëvendosjen – 127 – do të jetë e vlefshme! Mos i dëgjoni ata që thonë ndryshe. Votoni 127, pastaj zgjidhni jo më shumë se pesë numra kandidatësh nga lista jonë. Secila votë do të numërohet, që prej numrit 1 që është Albin Kurti, e deri në fund”, thuhet në postim.

“T’i japim mbështetje sa më të madhe Lëvizjes dhe kryeministrit tonë!”, thuhet tutje.

Në anën tjetër, diçka e këtillë konsiderohet kundërthënëse karshi asaj se çka thojnë nga KQZ’ja.

“Pra, nëse një subjekt politik ka të certifikuar 4 kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar 5 numra, në FLLK evidentohen këto 5 shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këta formularë bartën vetëm votat e kandidatëve të certifikuar”, ka deklaruar kryetari i KQZ’së, Valmir Elezi.

Ai ka sqaruar edhe procedurën lidhur me nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve.

“Pas përfundimit të votimit, anëtarët e Këshillit të Vendvotimit, të cilët përfaqësojnë subjektet politike, numërojnë fillimisht votat për subjektet politike, duke krijuar dengje me votat e vlefshme për secilën prej tyre. Pas këtij procesi, Këshilli i Vendvotimit numëron pjesën tjetër të fletëvotimit: votat e kandidatëve. Këto të dhëna paraqiten në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve (FLLK) për secilin fletëvotim. Në këto fleta paraqiten të dhënat për çdo numër. Pas kësaj, bëhet bartja e totalit të votave për secilin kandidat të certifikuar”, qartëson Elezi.